Balotazhi për pushtetin lokal të dielën (29.10) zhvillohet në 35 komuna, përkatësisht në 1.517 qendra votimi, ku të drejtë vote kanë 833.710 qytetarë. Në raundin e dytë marrin pjesë 70 kandidatë për kryetarë komunash.

Raundi i parë i zgjedhjeve u mbajt më 15 tetor, ku u zgjedh kryetari i bashkisë së Shkupit dhe kryetarët e 45 komunave. Në raundin e parë u zgjodhën edhe anëtarët e këshillave komunal.

Ali Ahmeti: “Ku ka partneritet ka edhe reciprocitet”

BDI-ja vazhdimisht ka punuar dhe është angazhuar për proceset demokratike, ndaj ky subjekt politik dëshiron që të njëjtat standarde të zbatohen edhe më 29 tetor sepse kjo është shumë e rëndësishme për ardhmërinë e përbashkët të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, thotë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Duke folur për koalicionin parazgjedhor me LSDM për zgjedhjet lokale, Ahmeti thotë se ai nuk vepron me standarde të dyfishta. “Disa herë e kam theksuar se e ardhmja e Maqedonisë është që njerëzit të mos ndahen por të bashkohen si në ide ashtu edhe në organizim politik. Është e natyrshme mbështetja e kandidatëve të LSDM aty ku vlerësohet se nuk mund të fitojë kandidati shqiptar si në Shkup, Kumanovë e Ohër. Po ashtu është e natyrshme mbështetja e LSDM në Tetovë dhe Gostivar për kandidatët shqiptar. Ku ka partneritet ka edhe reciprocitet”, ka thënë lideri i BDI Ali Ahmeti.

Zaev: Nacionalizmi po mer fund në Maqedoni

Jam krenar që në raundin e parë zgjedhor kishim zgjedhje të pastra kristal, sepse vetëm përmes zgjedhjeve korrekte, të lira dhe demokratike të gjithë fitojmë në Maqedoni. Zgjedhje të tilla duhet të kemi edhe të dielën, deklaroi kreu i LSDM-së Zoran Zaev. Ai tha, se në këto zgjedhje lokale është parë se absolutisht nacionalistët po marrin fund në Maqedoni. “Absolutisht nacionalistët po marrin fund në vendin tonë. Nacionalizmi nga njëra ose ana tjetër nuk kanë të ardhme.Të gjithë jemi të njëjtë para Zotit, këtë e thotë edhe Kurani dhe Bibla dhe kështu të gjithë do të jemi të barabartë edhe para qevrsië edhe para komunës. Ndaj ardhmëria është këtu, pasi  nuk kalon askund në botë nacionalizmi dhe nuk do të kalojë as në Maqedoni”, nënvizoi kryetari i LSDM-së dhe kryeministër i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Nikolla Gruevski: Zaev nuk dëshiron pushtetin lokal, ai do ripërkufizimin e shtetit

Kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare Nikolla Gruevski thotë se dyftyrësia më e madhe e Zaevit në këtë fushatë është kur ai me gjysmë zëri flet për ndershmëri dhe drejtësi si dhe për zgjedhje korrekte dhe demokratike.

“Zaevi është sjellë që të punojë për ndërrimin e emrit dhe të identitetit. Me blerje dhe me vota të detyruara, ka për qëllim marjen e legjitimitetit për ripërkufizim të shtetit”, vlerëson Gruevski.

Opozita shqiptare synon fitoren

Koalicioni i Lëvizjes BESA me Aleancën për Shqiptarët do të sjellë ndryshime të mëdha për të mirë, deklaron kryetari i BESËS dhe kandidat për kryetar të komunës së Tetovës, Bilall Kasami. “Ky koalicion do të thotë fillim i ndryshimeve për të mirën e shqiptarëve. Mjaft ishte qeverisja që në plan të parë e ka interesin personal, e jo të mirën e të gjithë qytetarëve. Si rezultat i kësaj mund të shihet në çfarë situate jemi sjellë”, u shpreh Bilall Kasami.

Fushatë më e ashpër në balotazh

Njohësit e çështjeve politike në Maqedoni konsiderojnë se partitë politike në raundin e dytë zgjedhor kanë vënë në funksion gjithë arsenalin politik, jo për të prezantuar projektet në funksion të ngritjes së cilësisë së jetës së qytetarëve, por në denigrimin dhe njollosjen e kundërshtarëve politikë.

“Fushata në raundin e dytë zgjedhor u përcoll me një makiavelizëm të paparë, ku partitë politike atakojnë kundërshtarët politikë. Kjo ndodh si rrjedhojë e ndryshimit të përllogaritjeve të numrave se kush do të dalë fitues”, shprehet profesori universitar Ali Pajaziti.

Komunikologu Klime Babunski thotë se nxitja e fushatës negative në raundin e dytë ka të bëjë me mungesën e kulturës politike, por dhe faktin se për disa drejtues të partive humbja në zgjedhje do të thotë dhe fund i karrierës politike. “Në esencë përmes propagandës negative synohet të aktivizohet ajo pjesë e elektoratit, e cila nuk është e përcaktuar. Në këtë mënyrë tentohet të përfitohet vëmendja e këtij trupi elektoral, i cili qëndron inert ndaj zhvillimeve”, thotë Babaunski.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni KSHZ ka akredituar 5.101 vëzhgues vendas dhe të huaj, si dhe 20 gazetarë të huaj. Këto zgjedhje janë të gjashtat lokale në Maqedoni qysh nga pavarësia./DW