I mandatari për qeverinë e re të Maqedonisë, Zoran Zaev pritet që nesër ose gjatë fundjavës, të dorëzojë në Kuvend propozimin për programin qeveritar dhe përbërjen e re të kabinetit të ekzekutivit. Lideri i socialdemokratëve këtë e konfirmoi gjatë prononcimit të tij një ditë më parë nga Brukseli duke thënë se mundësitë që Maqedonia deri të mërkurën të ketë qeveri të re, janë të mëdha.

Në përgjithësi jemi shumë afër marrëveshjes me BDI-në dhe me koalicionin Aleanca për shqiptarët. Pak më larg në këtë drejtim jemi me Lëvizjen Besa. Me këtë parti ende nuk kemi biseduar për emra dhe ndarje të resorëve, kemi biseduar për numrin total të resorëve dhe për disa drejtime të caktuara programore dhe principe që duhet patjetër të jenë pjesë përbërëse e qeverisë së re. Nesër pasdite do të jem në Shkup dhe do t’i vazhdoj bisedimet me të gjitha partitë politike. Qëllimi ynë përfundimtar është deri në fund të kësaj jave, deri tek Kuvendi të dërgohen përbërja e kabinetit dhe programi qeveritar. Nëse e plotësojmë këtë premtim të të gjithë liderëve, besoj se Maqedonia deri të mërkurën do të ketë qeveri të re reformatore – deklaroi kreu i LSDM-së Zoran Zaev.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë deklaruar se kjo parti do të drejtoj kryesisht ministritë që ka pasur edhe në qeverinë me VMRO DPMNE-në me përjashtim të ministrisë së arsimit që do të zëvendësohet me dikasterin e shëndetësisë post që jozyrtarisht flitet se do t’i takoi LR PDSH-së, nëse vendos që të jetë pjesë e Qeverisë. Lideri i kësaj partie Ziadin Sela deklaroi se LR – PDSH dhe Aleanca për Shqiptarët do ta votojnë kabinetin e ri qeveritar pa marr parasysh se a do të jetë pjesë e ekzekutivit ose jo.

Për Aleancën për shqiptarët dhe LR – PDSH-në është më e rëndësishme sa më shpejt kthimi shteti i së drejtës, sa më shpejtë të bëhen reforma në procesin e eurot integrimeve, sa më shpejtë shqiptarët të ndjehen të barabartë me maqedonasit dhe në lidhje me këtë ne jemi të gatshëm që LR – PDSH do ta votoj qeverinë e re pa marr para sysh se a do të kemi resorë  ose jo –tha kryetari i  Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela.

Lëvizja Besa nuk lëshon pe. Ata janë në pritje të përgjigjes së LSDM-së dhe Zoran Zaevit për kushtet e tyre siç janë ridefinimi, integrimi i Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare në programin e qeverisë dhe kabinet qeveritar pa persona të inkriminuar. Sipas Rregullores për punën e Kuvendit, debati mes deputetëve për propozimin e LSDM-së për qeverinë e re mund të zgjatë më së shumti deri tre ditë, dhe deri në mesnatë të votohet përbërja e re qeveritare./ALSAT-M