Seanca e përbashkët e Qeverisë së Maqedonisë dhe asaj të Bullgarisë sot në Strumicë u konsiderua si hedhje e themeleve të bashkëpunimit mes dy fqinjëve. Kryeministrat, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov u zotuan se do të bashkëpunojnë edhe në realizimin e reformave, që do ta përshpejtojnë integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike.
“Jemi të bindur se perspektiva për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO vazhdon të mbetet motiv kryesor për reformat që shpiejnë në prosperitet dhe stabilitet të vazhdueshëm. Në këtë kontekst, vendosëm ta ndërtojmë bashkëpunimin, të dedikuar në përgatitjen e suksesshme të Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në BE dhe NATO”, deklaroi Kryeministër i Maqedonisë Zoran Zaev.
“Evropa është me ne, Evropa mendon për këtë rajon. Realisht mendoj se edhe kolegët e mi janë të bindur se Ballkani është vend i shkëlqyeshëm me popuj dhe resurse natyrore të shkëlqyeshme. Dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë. Mendoj se perspektiva juaj drejt BE-së dhe NATOs është shumë e rëndësishme për Maqedoninë. është zgjedhja juaj, në të cilën ne nuk përzihemi. Ne gjithnjë jemi këtu që t‘ju ndihmojmë”, deklaroi Kryeministër i Bullgarisë Bojko Borisov.
Borisov me përgjigje diplomatike për pyetjen nëse e njeh gjuhën maqedonase si gjuhë të ndryshme nga ajo bullgare. Ndërkaq Zaev theksoi se Marrëveshja bilaterale për Fqinjësi dhe Bashkëpunim me Bullgarinë garanton pacenueshmërinë e gjuhës maqedonase.
“Pak më parë, para se të hyja këtu u takuam me qytetarë të Strumicës dhe absolutisht u kuptuam. Ashtu siç shoh asnjë nga ju gazetarët, as maqedonas e as bullgar nuk po i shfrytëzoni dëgjueset për përkthim dhe po kuptohemi. Çfarë ka më të rëndësishme sesa të kuptuarit?!”, shtoi Bojko Borisov.
“Marrëveshja është nënshkruar me formulimin ku thuhet “Në gjuhën maqedonase, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe në gjuhën bullgare, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Bullgarisë”. është shkruar në dy gjuhët, si në bullgarisht ashtu edhe në maqedonisht. Me këtë japim mundësi që sa më pak të flasim për dobësitë e së kaluarës dhe më shumë të flasim për perspektivat e së ardhmes”, theksoi Zoran Zaev.
Takimi mes Zaevit dhe Borisovit filloi në Manastirin e Strumicës kurse dy liderët vendosën kurora lulesh në monumentin e ish presidentit Boris Trajkovski. Lidhur me kërkesën e kishës ortodokse maqedonase, që kisha bullgare t’ja pranojnë auto-qefalinë dhe t’i bëhet kishë amë, dy kryeministrat deklaruan se nuk duan të përzihen në punën e kishave. Për këtë ata inkurajuan të kërkohet mënyrë për zgjidhjen e çëshjtve të hapura. Dy vendet nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi ndërkaq është theksuar rëndësia e Korridorit 8, ndërtimi i të cilit do të lehtësojë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe gjithë rajonit.
/Alsat-M