protestat shkupGjykata themelore në Shkup ka dënuar me nga tre vite burg, gjashtë të rinj shqiptarë që morën pjesë në protestat e katër korrikut, kundër vendimit të gjyqit në rastin “Monstra”.

Muaharem Bardhi, Arian Rexhepi, Enur Iljaz, Adem Abdullovski, Muharrem Isa dhe Rami Buçi do të vuajnë dënimin maksimal të paraparë për këtë vepër, pasi akuzoheshin për pjesëmarrje në turmë që theu dritaret e pallatit gjyqësor.

Avokatët e dhe familjarët mbetën të shokuar nga dënimi i shqiptuar prej gjykatës dhe vlerësojnë se bëhet fjalë për hakmarrje.

Lupço Veselinovski, avokat: “Po bëhet praktikë në Maqedoni që gjykata të dënojë qytetarët në bazë të paragjykimeve. Jemi të shokuar nga vendimi i gjykatës, sepse gjashtë të dënuarit nuk kanë marrë fare pjesë në turmën e cila ka thyer dritaret e gjykatave. Revolta e gjykatës u dëshmua përmes dënimit të shqiptarëve. Ky është dënim maksimal për këtë vepër penale”.

Familjarët e të dënuarve e kanë përjetuar rëndë vendimin gjyqësor, për të cilin janë të bindur se ka prapavijë politike. Të revoltuar tej mase, ata kanë apeluar te të gjithë shqiptarët që në mënyrë masive të marrin pjesë në  protestat e reja që janë paralajmëruar në Shkup të premten kundër vendimeve të gjykatave maqedonase.

Mbrojtja ka paralajmëruar ankimim të vendimit në gjykatën e Apelit. Përveç se janë dënuar me nga tre vite burg, gjashtë të rinjtë duhet të paguajnë edhe dëmshpërblim në vlerë prej 25 mijë eurove.

Në këtë proces gjyqësor ishin të akuzuar 8 shqiptarë, dy prej të cilëve u lanë të lirë në mungesë të provave. Dënimi i gjashtë të rinjve shqiptarë ka skandalizuar edhe njëherë opinionin, duke shtuar dyshimet për drejtësi selektive, sepse deri tani nuk është dënuar asnjë maqedonas për protestat në lagjen Gjorçe Petrov, ku u dogjën dhe vandalizuan pronat e shqiptarëve.

TV KLAN