Maqedoni: Dëshirat për 2017, punë dhe institucione pa ndikim të partive politike



Qytetarët e Maqedonisë në vitin 2017 presin formimin e një Qeverie, e cila do të angazhohet që vendin ta kthejë në binarët e procesit të integrimeve në strukturat euro-atlantike, vende të reja të punës, departizimin të institucioneve dhe më shumë mjete në lëmin e kulturës dhe sportit.

Unë shpresoj se në krye të qeverisë së ardhshme, më në fund do të vendoset një kryeministër, i cili njëherësh do të arrijë t’i bashkojë të gjitha forcat politike në Maqedoni dhe më pas të gjithë të punojmë bashkërisht për t’i plotësuar standardet që kërkohen nga ne si shoqëri për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe aleancës euro-atlantike. Maqedonia është pjesë Evropës dhe meriton që qytetarët të e Maqedonisë të jenë pjesë e familjes evropiane, thotë Natalia Spirkovska, e cila drejton një zyrë kontabiliteti në Shkup.

Ndërkaq, Arlinda Baftiu, poete dhe organizatore e më shumë ngjarjeve kulturore dhe iniciativave për të rinj, thotë se nuk është momenti që të rinjtë të presin që gjërat të ndryshojnë vetvetiu, andaj gjatë 2017-ës ajo pret më shumë iniciativa të ngritura nga vetë të rinjtë .

Është momenti që ne të rinjtë duhet ta kuptojmë se jemi e tashmja dhe jo e ardhmja vendit dhe se jemi ne ata, të cilët duhet t`i marrim frenat në dorë dhe të fokusohemi me aktivitet tona që të përmirësohen gjërat që duhet të përmirësohen në shoqërinë tonë“.

Nuk e kemi luksin që të presim nga të tjerët t`i ndryshojnë gjërat, por gjithsecili nga ne duhet të bëhet i ndërgjegjshëm dhe i vëmendshëm për përgjegjësitë shoqërore që ka, duke qenë i suksesshëm në fushën që ka zgjedhur për të vepruar. Pra,më 2017 shpresoj të këtë më shumë iniciativa nga të rinjtë dhe ta kuptojnë se ata janë burim i forcës së ndryshimit të gjërave dhe jo të presin nga të tjerët për ditë më të mira”, thotë Arlinda Baftiu.

Përderisa Elmendina Asani, e diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë shpreson që viti 2017 t’i çlirojë institucionet nga influenca e direktivave partiake dhe t’u hapen dyert më të mirëve:

“Uroj që të gjithë ata, të cilët na dëgjojnë dhe janë në pozitat vendimmarrëse ose do të jenë gjatë vitit që po hyjmë, të na mundësojnë kushte për të aplikuar në praktikë dijen tonë, të kemi mundësi të praktikojmë shkencën, të na mundësohet avancimi apo specializimi në drejtimet që kemi zgjedhur për ta ushtruar profesionin, dhe të mos kemi nevojë të largohemi nga Maqedonia për të realizuar ëndrrën tonë, apo vetëm për të siguruar ekzistencën”.

Drita Islami, atlete profesioniste, thotë se në 2017-n e presin shumë sfida në garat ndërkombëtare, megjithëse shpreson që autoritetet shtetërore të ndajnë më shumë mjete për sportin dhe të rinjtë të kalojnë më shumë kohë në palestër, sesa në rrugë:

“Si atlete profesioniste, kam shumë synime për vitin e ri. Më 2017, pres të shënoj suksese në Kampionatin Botëror, që do të mbahet në gusht, si dhe Kampionatin Evropian në Poloni, dhe atë në Gjeorgji. Pres të marr medalje, sepse mendoj që këtë vit jam shumë afër asaj ngjitjes në piedestal. Megjithatë, më duhet të theksoj se pres që organet përkatëse të investojnë më shumë në sport dhe të rinjtë të jenë më shumë në palestër, qoftë duke u marrë me sport, si profesion apo rekreacion”.

Damjan Andonovski, avokat, shpreson që gjatë 2017-ës të realizohen reformat në sistemin e drejtësisë që qytetarët të kthejnë besimin në sistemin e drejtësisë.

“Pres që të përfundojë kiza politike dhe përfundimisht të konsolidohen institucionet në vend, të bëhen të afta të bartin procesin e reformave në sistemin e drejtësisë, si shtyllë bazë për zhvillimin e demokracisë. Unë jam avokat dhe shoh se qytetarët gjithnjë e më pak u besojnë gjykatave – kjo flet për nivelin e ulët të demokracisë…. Kurse, në planin privat uroj shëndet dhe më shumë para, një jetë dinjitoze për familjen time”, thotë Damjan Andonovski./tvklan.al

Burimi: (REL)

 

Kategori
RajoniTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*