Katër partitë më të mëdha në Maqedoni, VMRO-DPMNE, Lidhja Social Demokrate, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare kanë vazhduar të marten bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje për t’i dhënë fund krizës politike që prej 1 viti që ka përfshirë vendin.

Partitë po bisedojnë në nivel të grupeve të punës, me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar. Ambasadori amerikan në Shkup Jess Baily tha për mediat se partitë nuk arritën marrëveshje, por takimi do të vazhdojë edhe të mërkurën.

Përpara takimit, përfaqësuesi i BDI-së, deputeti Artan Grubi tha se marrëveshja pritej të arrihej brenda ditës dhe se vetëm disa gjëra të vogla kishin mbetur për t’u zgjidhur midis dy partive maqedonase.

Ndërkaq, këto dy të fundit nuk kanë mundur të tejkalojnë dallimet lidhur me kompetencat që Ministri i ri i Punëve të Brendshme do të ketë në qeverinë e re teknike. Ky post do t’i takojë një përfaqësuesi të Lidhjes Social Demokrate të opozitës.

Zëri i Amerikës