Në parlamentin e Maqedonisë pati përplasje mes kryeparlamentarit shqiptar, Talat Xhaferi dhe deputetëve të VMRO-së, në ditën e dytë të seancës për zgjedhjen e zv/ministrave.

Partia VMRO, tashmë në opozitë, nëpërmjet proceduraleve po tentojnë të zvarrisin zgjedhjen e zv.ministrave, shkruan Alsat-M.

Situata në Kuvend u tensionua pasi kërkesa për ndërhyrje procedurale nga deputeti i VMRO-së Vllatko Gjorgjev ia refuzua në kryeparlamentari. Xhaferi tha se Gjorgjev kishte të drejtën e replikës ndërkohë ai këmbënguli për ndërhyrje procedurale edhe përkundër thirrjeve të kryeparlamentarit që ta lëshojë foltore. Xhaferi kërkoi ndërhyrjen e sigurimit të Kuvendit për të larguar nga foltorja Gjorgjevin. Pasi sigurimi u afrua në foltore ndërkohë Gjorgjev vazhdonte të fliste, Xhaferi e ndërpreu senacën dhe kërkoi 10 minuta pauzë.