Me 69 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim, Parlamenti i Maqedonisë miratoi ligjin që e shndërron shqipen në gjuhë të dytë zyrtare.

Ligji zgjeron përdorimin e shqipes krahas gjuhë maqedonase në dokumentet zyrtare të të gjitha institucioneve shtetërore, ndërmarrjet publike, agjenci, drejtori e organizata të ndryshme. Shqipja dhe alfabeti i saj do të përdoret zyrtarisht edhe në ato zona të Maqedonisë, ku shqiptarët përbëjnë të paktën 20% të popullsisë. Gjuha shqipe do të përdoret për herë të parë edhe në Qeveri, si në të folur edhe në të shkruar. Ndërsa nuk u miratua përdorimi i gjuhës dhe simboleve etnike dhe fetare të shqiptarëve  në uniformat e ushtrisë dhe në kartëmonedha. Për këtë çështje do të kërkohet opinioni i Komisionit të Venecias.

Stafeta tashmë i kalon presidentit të vendit, Gjorge Ivanov, i cili ka shprehur disa rezerva për ligjin.

Talat Xhaferi (kryetar i Parlamentit)

“Dhe në aspekt hipotetik nëse ajo nuk ndodh brenda 10 ditëve, mbas skadimit të afatit 10 ditorë, po them hipotetikisht nëse nuk dekretohet, brenda 30 ditëve nga skadimi i afatit ligji do të duhet ti kthehet në lexim të tretë parlamentit që nënkupton vetëm aktin e votimit të sërishëm. Duke pasur parasysh numrat që kanë kaluar sot shpresoj që nuk do të ketë kurrfarë problemi”.

Votimin e braktisi partia më e madhe e opozitës VMRO-DPMNE, që kishte kërkuar zgjatjen e diskutimeve të pr/ligjit në komisione, për të marrë mendimin e detajuar të ekspertëve.  Ligji ka në total 25 nene dhe ishte shtruar për diskutim prej shtatorit dhe ishte pjesë e marrëveshjes për bashkëqeverisje mes LSDM-së dhe partive shqiptare.

Tv Klan