Maqedonia prag të zgjedhjeve është vënë në një udhëkryq ku popullatës i është shtruar një zgjedhje paksa konfuze mes interesave kombëtare dhe atyre të mbështjella me petkun fetar.

Parti politike, duke tentuar ta përfitojnë përkrahje, po përdorin edhe Zotin. Opinionistë nga Maqedonia e vlerësojnë absurde një gjë të tillë, duke pasur parasysh se Maqedonia ka një popullatë multi-kulturore e multi-fetare por edhe sepse shqiptarët janë para një kohe vendimtare kur nuk duhet të lejojnë të rrezikohet kombi dhe defaktorizimi i tij.

Profesori universitar Ismet Jonuzi vlerëson se shqiptarët nuk duhet të bien pre e tentativave çorientuese nga rruga kombëtare dhe të ecin pas një ideologjie të mbështjellë me petkun e fesëqë mund të ketë për qëllim shtyrjen para të agjendave të huaja, apo ekstremiste.

Ismet Jonuzi:

Dëgjojmë zëra të tillë ku personifikohen disa parti duke përdorur elementin e teokratizmit, përkatësisht zotit dhe fesë. Çështja shqiptare kërkon avancim në rajon për probleme që e tangojnë Maqedoninë siç është ndryshimi emrit kushtetues, përgatitja për në BE etj. Ne kemi nevojë të flasim shqip dhe kemi nevojë për çështjen shqiptare në Maqedoni. Nuk kemi nevojë për përzgjedhje të çështjeve protestuese të feve. Na priftë e mbara në zgjedhje dhe larg duart nga feja pasi kombi është në pikëpyetje.

Kurse, opinionisti Gazment Ajdini është i mendimit se momenti nuk është në favor të shqiptarëve, që të mendohet përndarje në tabore fesh e ideologjish pasi kështu vetëm sa thellohen përçarjet dhe devijohet nga qëllimet më afatgjate shqiptare, edhe në skenën botërore.

Gazment Ajdini, opinionist:

Infiltrimi por edhe institucionalizimi i fesë në fushatë ose në rrjedhat politike, sidomos të atij jo tradicional kombëtar është devijim esencial nga politika shqiptare në të gjitha trojet. Në një periudhë afatmesme, realisht, kjo mund të krijojë një devijim të qëllimeve strategjike gjithë shqiptare dhe rrjedhimisht me këtë edhe pozicionimin politik e gjeo-strategjik të shqiptarëve në botë.

Ekspertët janë të mendimit se përkrahja më e mirë mund të arrihet me unifikim, e jo përçarje në tabore etnike e fetar edhe asesi me keq përdorim të Zotit dhe fesë.

Maqedonia nuk e ka risi kërkimin e votës përmes sloganeve ku përzihet feja. Mirëpo, në të kaluarën, këtë e kanë bërë kryesisht partitë e pjesës maqedonase, kurse tani këtë ide po e inkorporojnë në të vepruar edhe disa lëvizje të reja në skenën politike të shqiptarëve./ TV KLAN