Tre emigrantë humbën jetën në përpjekje për të kaluar lumin “Suva Reka” pranë Gjevgjelisë në Maqedonisë.

Policia maqedonase njoftoi se viktimat janë dy burra dhe një grua. Incidenti ndodhi mëngjesin e sotëm rreth orës 7:30 minuta, ndërsa emigrantët u përpinë nga rrjedha e fortë e lumit që ishte fryrë nga shiu i rrëmbyeshëm. Të tjerë u nxorrën nga uji dhe u dërguan në qendrën Vinojug, ku po marrin edhe ndihmën mjekësore. Mediat e huaja raportojnë se rreth 1000 persona janë larguar nga kampi i improvizuar i Idomenit dhe kanë kaluar lumin pranë kufirit, duke gjetur një rrugë alternative për hyrjen në Maqedoni.

Në pikën kufitare të Idomenit gjendja sa vjen e përkeqësohet. Rreth 14 mijë emigrantë kanë mbetur të bllokuar në kamp, ndërsa kushtet janë rënduar nga shiu i ditëve të fundit. Emigrantë të tjerë kanë mbërritur në Greqi, pavarësisht vendimit të Maqedonisë për të mbyllur kufirin, duke bllokur të ashtuquajturën rruga e Ballkanit.

Tv Klan