Maqedonia i ka shpëtuar paralizimit të pushtetit lokal pas skadimit të afateve të Kryetarëve të Komunave. Partitë politike të thërritura nga Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi kanë vendosur që zgjedhjet lokale do të mbahen në gjysmën e parë të muajit Tetor kurse mandati i kryetarëve dhe këshilltarëve komunal do të vazhdohet deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillave.

Mungesa e qeverisë prej 5 muajsh, dhe vonesa e tej zgjatur në zgjedhjen e kreut të ri të Parlamentit ka bërë që edhe afati për shpalljen e zgjedhjeve lokale të tejkalohet. Në takimin e thërritur nga Xhaferi, përfaqësues të VMRO – së së Gruevskit nuk u paraqitën.

Sakaq, nga LSDM, ka ardhur paralajmërimi i fundit. Në një komunikatë të Partisë kërkohet që Ivanov, të veprojë urgjent dhe të jap mandatin për formimin e qeverisë së Zoran Zaev.

Nga Presidenca doli një komunikate ku thuhej se është marrë edhe letra e dytë e kreut të Kuvendit Xhaferi ku njoftonte sërish për ekzistencën e shumicës Parlamentare. Po sipas Presidencës, Ivanov vijon të kërkojë garanci për ruajtjen e unitetit të Maqedonisë.

Tv Klan