GruevskiMaqedonia është në prag të krizë së thellë politike. Këshilli ekzekutiv i Lidhjes Socialdemokrate e Maqedonisë ka vendosur të refuzojë mandatet e deputetëve. Opozita nuk pranon 34 mandatet e deputetëve të fituar në zgjedhjet parlamentare të 27 prillit pasi vlerëson se zgjedhjet e dyfishta ishin të manipuluara, me keqpërdorime të shumta.

Vendimi përfundimtar do të sillet nga Këshilli qendror i LSDM-së. Zëdhënësi i LSDM-së Petre Shilegov ka sqaruar se nuk do të parashtrojnë as ankesa, pasi nuk e njohin procesin e tërësishëm zgjedhor. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, njëherësh kryeministër Nikolla Gruevski e ka quajtur të papërgjegjshëm vendimin  e opozitës.

Nikolla Gruevski, kryeministër i Maqedonisë: “Vendimi i LSDM-së për ti kthyer mandatet e deputetëve është venim i dëmshëm për partinë opozitare por edhe për gjithë Maqedoninë. LSDM ende ka kohë që ta rishikojë vendimin e tyre derisa kuvendi nuk e ka filluar punën”

Vendimin e opozitës maqedonase për kthim të mandateve të deputetëve e ka komentuar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim.

Ndërkohë taborët fitues të zgjedhjeve, VMRO dhe BDI, kanë njoftuar se pas 1 majit do të fillojnë negociatat për formim të qeverisë së re. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka deklaruar se qeveria e re pa BDI-në mund të shkaktojë destabilitet të vendit, kurse kryeministri Gruevski ka thënë se do të përgjigjet ndaj këtij vlerësimi kur të vijë koha.

Lidhur me zhvillimet paszgjedhore në Maqedoni ka reaguar edhe komisioneri evropian për zgjerim, Stefan Fule, duke konstatuar se situata në Maqedoni është e komplikuar. Nga ana tjetër, Departamenti Amerikan i Shtetit ka vlerësuar se zgjedhjet kanë qenë të rregullta dhe janë zbatuar në mënyrë profesionale, duke përmendur edhe disa lëshime teknike.

TV KLAN