Në Maqedoni sot po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, që erdhën si pasojë e krizës së thellë politike, në të cilën ndodhet vendi që nga zgjedhjet e vitit 2014, e në veçanti pas asaj që njihet si aferë e përgjimeve që lëkundi stabilitetin e Maqedonisë me trazirat më të mëdha që nga pavarësia e saj, 25 vjet më parë.

Të drejtë vote kanë rreth 1.8 milionë shtetas, të cilët pritet të zgjedhin përbërjen e re parlamentare prej 120 deputetësh.

Në garë për mandate janë 11 lista të partive dhe koalicioneve partiake, katër prej të cilave janë të subjekteve politike shqiptare. Beteja kryesore zhvillohet mes VMRO DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së, PDSH-së, Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët.

Zgjedhjet mbahen sipas sistemit proporcional me lista të mbyllura dhe ato po zhvillohen në gjashtë njësi zgjedhore ku çdonjëra prej tyre nxjerr nga 20 deputetë. Procesi i votimit po monitorohet nga rreth 5 mijë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.

Numrin më të madh të vëzhguesve të huaj e ka misioni i OSBE-ODIHR, pastaj Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian. Përfaqësuesit e ambasadave dhe misioneve të huaja diplomatike në vazhdimësi kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike si kusht kryesor për kthimin e Maqedonisë në normalitet.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë angazhuar edhe forca të shumta policore të pranishme në të gjitha 3,840 vendvotimet.

Për prishjen apo pengimin e procesit zgjedhor në bazë të ndryshimeve të reja të Kodit Zgjedhor parashihen dënime të ashpra që nga gjobat që sillen deri në 5 mijë euro e deri në dënime prej 3 deri më 5 vjet burg në rast të mbushjes së kutive të votimit apo mashtrimeve zgjedhore./tvklan.al

Burimi: REL