Është zhvilluar dhe etapa e fundit e “Maratonës së Këngës 8”.

Nata e fundit e turneut më popullor muzikor të organizuar deri sot është zhvilluar në qytetin e Cërrikut.

Këtë herë, studio lëvizëse e Televizionit Klan,  stafi artistik i këtij produksioni, serviset e realizimit Screen Ad dhe Frenki Lights, janë instaluar e vendosur në sheshin e qytezës, i cili gjithashtu ka pritur mijëra e mijëra banorë, jo vetëm nga  Cërriku, por edhe Gostima, Shalësi, Mollasi e Klosi.

Që nga emrat e famshëm të këtij turneu, e deri tek artistët më të rinj, e pjesëmarrës për herë të parë në këtë event, janë ngjitur në skenë e kanë bërë për vete një publik të nxehtë në shesh, që kanë vallëzuar, kënduar këngët e reja , por edhe festuar me fishekzjarre Maratonën në qytetin e tyre.

Pas përshëndetjes nga ana e Kryetarit të Bashkisë Cërrik, z. Altin Toska, festa ka vazhduar me shumë entuziazëm, dhe publiku ka duartrokitur edhe këngëtarët e vetë qytetit që kanë performuar për herë të parë në skenën e Maratonës.

Mbyllet kështu një tur i gjatë muzikor, një event që udhëtoi në 14 stacione, me 14 qytete, duke ndezur publikun e gjithë Shqipërisë, nga veriu në jug .

Tv Klan