frrokuNë orën 16:00 Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do të mblidhet sërish për Deputetin Mark Frroku, i cili prej ditës së djeshme gjendet në arrest shtëpie. Prokuroria e Përgjithshme e vuri në lëvizje për herë të dytë Këshillin për kryetarin e Partise Kristian Demokrate për të autorizuar arrestimin e tij. Kësaj here, Prokuroria e kërkon arrestimin e Frrokut, pasi ndaj tij autoritetet gjyqësore belge kanë nxjerrë urdhërin e arrestit ndërkombëtar, si person i akuzuar për kryerjen e një vrasje.

Prokuroria bëri të ditur se kërkesën e saj e bazon në një material të ardhur nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol-Tirana dy ditë më parë dhe një shkrese të një dite më parë të mbërritur nga Ministria e Drejtësisë.

Për këtë arsye, ndaj Deputetit Frroku, Prokuroria ka regjisturar një procedim penal. Sipas procedurës, për veprimet e mëtejshme hetimore, si masa e arrestit të deputetit, duhet të vendosë Kuvendi, ashtu siç veproi në rastin kur për deputetët Mark Frroku e Tom Doshi u kërkua arrestimi për kallëzim të rremë e kanosje.

Këshilli i Mandateve do të diskutojë sot mbi këtë kërkesë dhe do të dëgjojë edhe Deputetin Frroku. Nuk dihet nëse ai do të jetë vetë i pranishëm apo do ta bëjë mbrojtjen si në rastin e parë kur dërgoi një shkresë.

Frroku, sipas Prokurorisë së Përgjithshme, akuzohet nga drejtësia belge, që e njeh edhe me emrin Besnik Morina, si autor i vrasjes së Aleksandër Kurti, më 5 mars të vitit 1999 në stacionin e trenit Grare dy Midi’ në Bruksel, vrasje kjo e kryer në bashkëpunim me 3 persona të tjerë.

Ata janë gjykuar në mungesë dhe ndaj tyre, në 15 janar 2010, Gjykata për Krime të Rënda e Brukselit ka dënuar secilin me nga 10 vjet burg, saktësohet në shkresën e Prokurorisë drejtuar kuvendit.

Ky proces gjykimi është zhvilluar në mungesë të personave të dyshuar, të cilët janë përfaqësuar nga avokatët e tyre. Dy prej të akuzuarve, njëri prej të cilëve edhe shtetasi Mark Frroku, kanë apeluar këtë vendim, me arsyetimin se avokatët e tyre kanë qenë kontradiktorë në mbrojtjen e klientëve të tyre, pa shprehur qartësisht kundërshtimin e akuzës.

Në bazë të legjislacionit procedurial penal të Belgjikës, ky arsyetim i prezantuar nga dy shtetasit shqiptarë është argument për të pranuar apelimin. Gjykata e Kasacionit me vendimin e datës 24 Mars 2010, ka kthyer çështjen për rigjykim.

Bazuar në apelimin e mbrojtjes, Kryetari i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda të Brukselit, në datën 31 janar 2014, ka vendosur fillimisht që shqyrtimi i kësaj çështje të fillojë në Shkurt 2015, por pak javë më parë, gjyqtari ka vendosur që ky proces të fillojë në muajin Tetor 2015.

Bazuar në aktet që i janë vënë në dispozicion Prokurorisë Shqiptare, rezulton se shtetasi Mark Frroku dhe 3 bashkëatdhetarë të tij, janë personat e akuzuar për vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurti, ngjarje e ndodhur në vitin 1999. Sipas materialeve hetimore, rezulton se kjo vrasje është pasojë e përplasjeve së grupeve që merren me prostitucionin në Bruksel.

Tv Klan