martesa

Disa ditë më parë qeveria spanjolle njoftoi se do të rriste moshën e martesës nga 14, në 16 – vjeç në mënyrë që të ishte në përputhje me pjesën tjetër të Europës.

Kjo gjë bëri që tanimë, Estonia të jetë vendi i parë në Europë, që lejon të martohesh në moshë të vogël. Në moshën 15 – vjeçare, adoleshentët nëse kanë miratimin e prindërve mund të martohen në këtë shtet.

Në një shkrim të prestigjozes britanike The Independent, thuhet se globalisht mosha mesatare e martesës ligjore për djemtë është 17 – vjeç dhe 16 – vjeç për vajzat.

Ka vende të tjera shkruan The Independent, si Massachusetts në SHBA, ku vajzat mund të martohen 12 – vjeç në “rrethana të jashtëzakonshme” dhe me pëlqimin e gjyqtarit.

Myslimanët dhe hindutë e kanë aktin e martesës të veçantë. Myslimanët mund të martohen 16 – vjeç djemtë dhe 12 –vjeç vajzat, ndërsa mosha e lejuar tek hindutë është 18 për djemtë dhe 14 për vajzat.

Kinezët, janë ata që duhet të presin pak më gjatë derisa të martohen. Mosha e lejuar për ta është 22 – vjeç për djemtë dhe 20 – vjeç për vajzat.

Në Nigeri, ku mosha e lejueshme e martesës për vajzat është 15 – vjeç, është vërtetuar se 76% e vajzave janë martuar përpara se të mbushin 18 – vjeç.

Në këtë shkrim të prestigjozes britanike është përmendur edhe Shqipëria, ku thuhet se ligji ne vendin tonë për moshën e martesës është i njëjtë si për vajzat ashtu edhe djemtë dhe është 18- vjeç./tvklan.al