Djali i keq i ilaçeve, siç e quajnë mediat amerikane, siç parashikohej, refuzoi të përgjigjet përpara komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan.

Martin Shkreli, ish-presidenti i kompanisë farmaceutike “Turing” që rriti çmimin e ilaçit Daraprim kundër SIDA, me 5000 për qind, nuk pranoi t’i përgjigjej asnjë prej pyetjeve që iu bënë gjatë seancës.

Ai iu referua Amendamentit Pesë të Kushtetutes Amerikane kundër vet-inkriminimit.

Pas përfundimit të seancës dëgjimore, 32-vjeçari shqiptaro-amerikan, në profilin e tij në Twitter i cilësoi “hajvanë” ligjvënësit amerikanë”.

Ilaçi “Daraprim”, i cili më parë shitej për një dollarë kokrra, ishte në treg për më shumë se 60 vjet.

Komisioni i Tregtisë Federale dhe Prokurori i Përgjithshëm në Nju Jork duan ta akuzojnë Shkrelin për shkelje të ligjit të konkurrencës, por hetimet nuk lidhen vetëm me rritjen e çmimit të medikamentit “Daraprim”.

Ai akuzohet edhe për vjedhje të letrave me vlerë të një kompanie tjetër farmaceutike, që kishte dikur në pronësi.

Los Anxheles Times shkruan se Martin Shkreli nuk është i vetmi që përfiton nga të sëmuret me çmimet e çmendura të ilaçeve.

Tv Klan