Gjykata e Lartë ka lënë sot në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit të Vlorës, duke dënuar me 35 vite burg Bertil Aliaj, Ani Begaj dhe Aleksandër Llanaj, autorët e masakrës së ndodhur në lagjen Çole të Vlorës, dy vite më parë.

Gjykata ka rrëzuar kështu kërkesën e prokurorit Artur Selmani, i cili kërkoi pushimin e akuzave nga vrasje me dashje në vrasje në kushtet e mbrojtjes.

Më herët, Kryeprokurori Adriatik Llalla pezulloi dhe urdhëroi nisjen e hetimeve ndaj Selamit, prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme, sëbashku me Drejtoren e Drejtorisë Gjyqësore, pasi dyshohen se kanë konsumuar veprën penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

Sipas njoftimit të akuzës, Prokurori Selmani ka mbajtur qëndrim të dyshimtë në Gjykatën e Lartë, ku po shqyrtohej rekursi për vrasjen e trefishtë në lagjen Çole të Vlorës,  ku humbën jetën tre të rinj. 

Prokurori Selmani nuk ka mbështetur qëndrimet e Prokurorisë së Vlorës, e cila kërkoi dënim maksimal për autorët në dy shkallët e gjyqësorit. Ai pretendon se për qëndrimet që ka mbajtur në gjykatë i ka diskutuar me Alma Muçën.

Në Prill të vitit 2015 në një lokal në lagjen Çole pas një konflikti të armatosur u vranë Haki Rakipi, Alfred Velaj dhe Albi Lima. Për këtë ngjarje u arrestuan Aleksandër Llanaj, i cili u dënua me burgim të përjetshëm. Ndërsa 35 vjet u dhanë për Bertil Aliaj dhe Ani Begajn./tvklan.al