Konflikti në Rripin e Gazës mes palestinezëve dhe ushtrisë izraelite, që shkaktoi mbi 60 viktima dhe rreth 2700 të plagosur, provokoi një përplasje të fortë mes Benjamin Netanjahut dhe Rexhep Taip Erdoanit.

Presidenti turk akuzoi Netanjahun se është Kryeministri i një shteti racist dhe represiv që ka pushtuar për më shumë se 60 vjet tokën e njerëzve të pambrojtur. Ai i ka duart të mbushura me gjakun e palestinezëve, sulmoi Erdoan.

E menjëhershme ishte kundërpërgjigja e kryeministrit izraelit që tha se nuk pranon moral nga presidenti turk. Si një mbështetës i madh i Hamasit, Erdoan e kupton shumë mirë se çfarë është terrorizmi, tha Netanjahu.

Erdoan thirri një samit të jashtëzakonshëm të organizatës së vendeve islamike, ku bën pjesë edhe Shqipëria, për të mbajtur në bllok një qëndrim kundër Izraelit. Presidenti turk paralajmëroi se nuk do të lejojë kurrë që Jeruzalemi t’u vidhet palestinezëve.

Dy ditë më parë, Turqia ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Izraelin, duke urdhëruar largimin e ambasadorit të këtij vendi. Ankaraja fajësoi Kombet e Bashkuara se kanë dështuar në parandalimin e masakrës në Gaza dhe SHBA-të se kanë humbur rolin e ndërmjetësuesit në Lindjen e Mesme.

Tv Klan