Një ditë pas krimit të rëndë të ndodhur në Korçë, ku 41 – vjeçari Naum Toshi vrau dy fëmijë përpara se t’i jepte fund jetës së tij, policia ndalon bashkëshorten e tij, Marsela Toshi.

24 – vjeçarja ka qenë në Greqi në kohën që ndodhi ngjarja dhe është kthyer menjëherë, por që në kufi është ndaluar nga policia. Ajo është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Korçës, ku edhe i është komunikuar nisja e procedimit penal për braktisje të fëmijëve të mitur.

Përpara hetuesve, ajo ka treguar se ishte larguar në Greqi, me qëllim për të gjetur një punë dhe një banesë, në mënyrë që më pas të merrte atje edhe bashkëshortin me fëmijët. Marsela Toshi ka pohuar se ditën e diel ishte grindur me bashkëshortin dhe kishte vendosur të ikte në Greqi.

“Ika në Greqi që të punoja. Do shkoja unë në fillim të gjeja shtëpi, punë dhe me pas do t’i merrja. Ai më thoshte: “Na gjej për të ngrënë. Bëj çfarë të duash! Ke fëmijë për të ushqyer. Hapu po deshe vetëm sill të hamë”. Të dielën debatuam me fjale. U zumë dhe unë ika përsëri. Nuk më ka dhunuar.”

ceremonia-mortore

Këtë të martë është zhvilluar edhe ceremonia mortore e përcjelljes së 3 viktimave, por 24 – vjeçarja nuk ka marrë pjesë. Sa u përket hetimeve, mësohet se Naum Toshi kishte planifikoi gjithçka pas largimit të bashkëshortes.

Në letrën që ai kishte lënë për të atin, shkruante se nuk e kishte pyetur kur ishte martuar me Marsela Toshin dhe nuk do e pyeste as për vendimin tragjik të fundit. 41 – vjeçari shkruante në letër se gjithçka po e bënte për shkak të mosmarrëveshjeve me gruan dhe se ajo “kishte marrë rrugë të keqe”.

Tv Klan