Masakra në Lushnje/ Shoqërohet nipi i Aldo Bares. Një i dyshuar për ngjarjen



Një ditë pas masakrës së ndodhur në qytetin e Lushnjes, autoritetet kanë një të dyshuar.

Burime nga Prokuroria e Lushnjes, për ABC News thanë se ai është Laert Haxhiu. Ky i fundit është i shpallur në kërkim, pasi është dënuar në mungesë me 35 vjet burg për vrasjen e Gerti Lalës, në Korrik të 2011 -ës.

Ndërkohë, policia ka marrë në pyetje nipin e Aldo Bares, Xhulio Shkurti, si person që mund të ketë dijeni për ngjarjen.

Para univormave blu, Shkurti mësohet të jetë shprehur se nuk ndodhej në vendin e ngjarjes dhe se ishte larguar 10 minuta para masakrës.

Ai ka pohuar se është kushëri me një prej viktimave, ndërsa me tjetrin kishte njohje.

Deri në këto momente autoritetet mësohet se po hetojnë në dy pista, atë të hasmërisë që lidhen me familjen e Aldo Bares, ndërsa pista e dytë është përplasja për çështje droge në Itali dhe Holandë mes viktimave dhe ekzekutorëve të tyre.

Ishte ora 18:00 e së mërkurës kur breshëri kallashnikovi tronditën qytetin e Lushnjes. Dy të rinj mbetën të vrarë dhe 2 persona të tjerë u plagosën pranë shëtitores së qytetit të mbushur plot me kalimtarë për shkak të orarit të shëtitjes. Dëshmitarët thanë se 3 persona hapën zjarr nga një makinë tip Benz, ndërsa një i katërt qëndronte në timon. Të gjithë ishin të maskuar.

Nga ky atentat mbetën të vrarë Zamir Latifi 26 vjeç dhe Jurgen Hoxha 26 vjeç. 

I plagosur rëndë ka mbetur shoku i tyre Marjus Xhepexhiu 26 vjeç që është transportuar me urgjencë drejt Tiranës. Ngjarja ndodhi përpara lokalit që ka babai i Xhepexhiut.

Dy plumba ka marrë edhe një kalimtar 66-vjeçar i identifikuar si Bujar Turku, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Lushnjës.

Dyshimet e policisë janë se shënjestra e atentatit ka qenë i riu Xhulio Shkurti, ndaj të cilit është bërë edhe një atentat në shtator të 2016-ës kur ishte i ulur në një lokal në qytetin e Fierit.

Pak pas ngjarjes, policia gjeti duke u djegur në afërsi të fshatit Çermë automjetin që përdorën autorët. Në brendësi të tij ishin edhe 3 armët kallashnikov. Makina është djegur tërësisht duke zhdukur çdo gjurmë të autorëve./tvklan.al

Kategori
KronikeTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*