Pas reagimit të Presidentit Bujar Nishani lidhur më sulmin në Arenën e Manchester mbrëmjen e së hënës kanë reaguar Partia Demokratike si dhe kreu i partisë LIBRA, Ben Blushi. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp PD shprehet se qëndron sot në krah të popullit të Britanisë së Madhe për të kapërcyer këtë fatkeqësi dhe për të luftuar edhe më ashpër ndaj terrorizmit botëror.

Njoftimi i plotë:

Partia Demokratike e Shqipërisë dënon me forcë sulmin terrorist të mbrëmshëm në Arenën e Mancesterit, ku gjeten vdekjen 22 njerëz të pafajshëm dhe 59 të tjerë u plagosen.

Ky akt terrorist i shëmtuar dhe brutal është një tjetër shembull se si barbaria e terrorizmit cenon jetën e qytetarëve të pafajshëm në mbarë boten.

Partia Demokratike qëndron sot në krah të popullit të Britanisë së Madhe për të kapërcyer këtë fatkeqësi dhe për të luftuar edhe më ashpër ndaj terrorizmit botëror.

Mendjet dhe lutjet tona janë sot me familjet e viktimave, dhe solidariteti ynë njerëzor dhe politik me aleatin tonë të çmuar, Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe.

​ Ndërsa  kreu i LIBRA-s Ben Blushi nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, shkruan:

NGUSHËLLIME PER MANCHESTER

Ngushëllime viktimave në Manchester gjatë një koncerti të Ariana Grandes. Sa herë që bota na duket më e sigurt,ndodh diçka që na kujton se nuk kemi patur të drejtë. Është siguria e pasigurisë së përhershme.

 

Edhe Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka reaguar për masakrën e Manchesterit. Meta i ka dërguar një letër ngushëllimi kryetarit të Dhomës së Deputetëve John Bercow. 

Letra e plotë:

Me hidhërim dhe keqardhje të thellë mësova lajmin tronditës për sulmin e tmerrshëm në Manchester ku shumë të rinj humbën jetën në moshën e tyre më të bukur. Sulmi në Manchester është një krim barbar i cili nuk është tragjedi vetëm për vendin tuaj por për gjithë botën e qytetëruar.

Në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe timin personal më lejoni t’Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta Ju dhe të gjithë familjarëve që humbën njerëzit e tyre më të shtrenjtë e t’Ju siguroj se Shqipëria dhe shqiptarët qendrojnë pranë popullit tuaj në këtë cast të vështirë dhe përkrah gjithë botës së civilizuar në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Më lejoni mik i shtrenjtë të bashkoj lutjet e mia të sinqerta për viktimat e pafajshme që shpirtrat e tyre të prehen në paqe dhe t’u uroj shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve.

Duke Ju përcjellë ndjenjat e miqësisë së sinqertë dhe solidaritetit të plotë.

Sinqerisht

Ilir META

Sh. T. Z. John BERCOW

Kryetar i Dhomës së Deputetëve

 

/tvklan.al