Autoritetet në Qipro por edhe në Greqi janë në gjueti për të kapur një nga vrasësit shqiptarë, të masakrës së 4-fishtë. 48-vjeçari Aleks Burreli vijon të jetë ende në kërkim, ndërsa policia beson se ai fshihet në Keratsini (zonë në Athinë).

48-vjeçari nga Mati drejtonte makinën me të cilën u afrua së bashku me shqiptarin tjetër Jani Vogli, duke hapur zjarr ndaj biznesmenit qipriot që ishte shënjestra e atentatit dhe personave të tjerë në tavolinë.

Gjatë të shtënave dhe shkëmbimit të zjarrit me palën tjetër, mbeti i vdekur dhe atentatori shqiptar Jani Vogli, megjithatë policia ka dyshime për mënyrën e vrasjes së tij. Hetuesit besojnë se Aleks Burreli është ndihmuar edhe nga një person i tretë, bashkëpunëtor i tij. Policia gjithashtu i druhet faktit se ai mund të ekzekutohet nga porositësi i krimit për të zhdukur gjurmët dhe për të mos lënë dëshmitarë.

Kush është Aleks Burreli?

Në vitin 2013, Aleks Burreli u arrestua pasi nuk i ndaloi policisë gjatë një kontrolli në Keratsini dhe u arratis me makinë duke rrezikuar edhe jetën e efektivëve të policisë. Gjatë arratisjes me shpejtësi të lartë, makina që ai drejtonte u përmbys, në të cilën udhëtonte bashkë me një shtetas grek. Fillimisht ai u akuzua për tentativë të vrasjes së punonjësve të policisë dhe qëndroi në paraburgim për 12 muaj, por më pas akuza iu lehtësua në kundravajtje e shkelje të rregullave të qarkullimit. Në vitin 2006, ai u arrestua për posedim të kokainës pasi u kap me 1 kg dhe u dënua me 14 vjet burg. Burreli la qelinë në vitin 2009. /tvklan.al