Qindra maturantë, të cilët nuk janë klasifikuar si fitues në listën paraprake të fituesve nga universitetet, kanë protestuar përpara godinës së Kryeministrisë.

Ata janë shprehur kundër reformës në arsimin e lartë, pas së cilës janë bërë edhe publikimet e listave të fituesve në universitete.

Sipas maturantëve, fitues në fazën e parë janë shpallur maturantë të cilët nuk kanë rezultate të larta, ndërkohë që maturantët që kanë pasur nota të mira ende nuk janë shpallur fitues në asnjë degë.

Ata janë shprehur kundër mënyrës së përzgjedhjes së kandidatëve për në universitete. Nga ana tjetër, ka reaguar edhe Ministria e Arsimit, e cila ka sqaruar se lista përfundimtare vetëm për fazën e parë do të publikohet më datë 20 Shtator nga çdo universitet.

Konkurrenca në fazën e parë është shumë e lartë pasi maturantët me rezultatet më të larta mund të jenë fitues deri edhe në 10 programe. Ndaj me zgjedhjen e vetëm një programi që një aplikant do të vendosë të ndjek, të 9-ta programet e tjera për të cilat është fitues, do të mbeten në dispozicion të raundit të dytë. Jeni të lutur të ndiqni me vëmendje udhëzimet nga universitetet

”, njofton MAS./tvklan.al