Kryeministrja britanike, Theresa May, do të jetë liderja e parë e huaj që do të pritet në Shtëpinë e Bardhë.  Ajo thotë se “nuk do të ketë frikë” t’ia thotë hapur Trumpit nëse ai thotë apo bën diçka që ajo mendon se është “e papranueshme”.

Dy liderët do të takohen në Shtëpinë e Bardhë të Premten për të diskutuar çështje të tilla si tregtia dhe siguria. Ky do të jetë edhe takimi i parë me një lider të huaj i Trumpit që nga koha kur mori detyrën e Presidentit të SHBA-ve më 20 Janar.

May i tha “BBC”-së se marrëdhënia speciale mes dy vendeve bën të mundur që ajo të ngrejë çështje të vështira në këtë takim. Më tej, ajo këmbënguli se kishte eksperiencë në mbrojtjen e të drejtave të grave.

Mijëra protestues dolën në rrugë të Shtunën në të dyja anët e Atlantikut, në kuadër të një fushate ndërkombëtare për të vënë në pah shqetësimet mbi pikëpamjet e Presidentit Trump mbi barazinë gjinore dhe raciale.

E pyetur nëse do të ngrinte në takim çështjet e komenteve të Trumpit për gratë, të cilat ai ka bërë gjatë fushatës, May tha se “unë tashmë kam thënë se disa prej komenteve të Donald Trumpit në lidhje me gratë janë të papranueshme. Për disa prej këtyre komenteve ai ka kërkuar falje edhe vetë.”

Kryeministrja Britanike tha se vetë prania e saj në Shtëpinë e Bardhë dhe takimi me Trump si të barabartë do të “jetë një deklaratë e madhe për rolin e grave.”

May tha se marrëdhënia speciale mes dy vendeve “na lejon ta themi kur diçka është e papranueshme.”  “ Kurdo që ka diçka që unë e gjej si të papranueshme, nuk do të kem frikë t’ia them këtë Donald Trumpit.”

May tha se mezi priste të takonte Trumpin për herë të parë në Uashington dhe për të vazhduar traditën e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve.

Ajo tha se janë një sërë çështjesh për të cilat Britania e Madhe dhe SHBA-të do të punojnë në të ardhmen. “Rëndësia e NATO-s dhe mundja e terrorizmit” janë dy prej tyre, tha May./tvklan.al