Presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan, ka bërë të shtunën një gjest të komentuar nga media ndaj Kryeministres britanike, Theresa May.

May fluturoi për 13 orë e 20 minuta për në Ankara, Turqi, pas takimit të djeshëm me Presidentin amerikan, Donald Trump, në Uashington. Sot ajo u prit në Pallatin Presidencial të Turqisë nga Presidenti Erdogan.

Dy liderët e mbajtën konferencën për shtyp të ulur në karrige, ndryshe nga të gjitha herët e tjera kur pas takimeve bilaterale, Erdogani dhe lideri i huaj mbanin konferencën në sallën e veçantë në këmbë.

Shtypi turk e komentoi këtë vendim si një gjest të presidentit ndaj kryeministres, pasi nuk kishin kaluar as 20 orë nga konferenca për shtyp që ajo mbajti me Presidentin Trump dhe udhëtimi duhet ta ketë lodhur.

usa turqi

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Erdogan tha se kishte diskutuar me kryeministren Britanike çështje të sigurisë, Sirisë dhe Irakut dhe Qipros.  

Dy liderët po ashtu diskutuan marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve pas daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Dy shtetet kanë një vëllim tregtar prej 15.6 miliardë dollarësh në vit, por “Sabah” raporton se Erdogan i ka propozuar May-t që shifra të arrijë në 20 miliardë dollarë. May po ashtu tha se Britania e Madhe do të rrisë shkëmbimet tregtare me Turqinë pas bisedimeve me Presidentin Erdogan.

Kryeministrja tha se Truqia ishte një prej “miqve më të vjetër” të Britanisë, porse ende kishte shumë për të ndërtuar mbi marrëdhëniet mes dy vendeve.

May tha se kishte rënë dakord me Erdoganin për të ngritur një grup të përbashkët pune për të përgatitur terrenin për marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve pas Brexit-it. /tvklan.al