LigjetAshtu siç pati paralajmëruar kryeministri Rama 1 javë më parë, mazhoranca i ka rrëzuar të 5 dekretet e Presidentit të Republikës.

Dekretet që kthenin për rishqyrtim në Kuvend ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ligjin për ndarjen e re territoriale, atë për Gjykatën Administrative dhe ligjin për shkollën e magjistraturës janë rrëzuar vetëm me votat e mazhorancës nga Komisioni Parlamentar i ligjeve.

Opozita, nuk mori pjesë, pasi vijon bojkotin.

Që në fillim kreu i komisionit Fatmir Xhafa është kujdesur të hedhë poshtë akuzat e opozitës që e cilëson si antikushtetues mbledhjen e Komisioneve Parlamentare të ligjeve dhe sigurisë pa nisur sesioni i ri parlamentar.

Për relatorin e ligjit për Këshillin e Lartë të Drejtësisë Armand Subashi, presidenti përdor Kushtetutën si argument për të rrëzuar ligjin, por harron vendimin e Gjykatës Kushtetuese ku dhe është bazuar mazhoranca për të bërë ndryshimet në këtë ligj.

Ndërsa z. Xhafa i kujton Kreut të Republikes se po përdor dy standarde kur bëhet fjalë për mënyrën e përzgjedhjes së nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Ish –bashkëkryetari i komisionit për reformën administrative-territoriale, Bashkim Fino teksa e cilëson si partiak qëndrimin e Presidentit të Republikës ndaj ligjit për ndarjen territoriale, replikon në vetë të parë me kreun e shtetit.

Deputeti Spartak Braho, të drejtën kushtetuese të Presidentit për t’i kërkuar Kuvendit rishqyrtimin e ligjeve, e quajti komedi.

Me argumentin se Presidenti po shpërdoron pozicionin e tij Komisioni i Ligjeve ka hedhur poshtë dhe 2 dekretet e tjera të tij.

Të njëjtën gjë ka bërë dhe Komisioni i Sigurisë me dekretin për kthimin për rishqyrtim të ligjit për policinë.

Edhe oponentë të fortë të këtij ligji si Luan Rama kanë votuar kundër dekretit të Presidentit, ndonëse disa nga argumentat e Kreut të Shtetit për rrëzimin e ligjit për policinë janë thuajse të njejtat me ato që vetë deputeti i LSI –së kishte mbështetur me herët kur e kundërshtonte këtë ligj.

Në këtë mënyrë, Parlamenti do t’i rrëzojë dekretet e Presidentit në seancën e parë parlamentare të këtij sesioni, ashtu siç tha kryeministri Rama me 22 gusht.

Partia Demokratike i ka konsideruar mbledhjet e dy komisioneve si antikushtetuese dhe në shkelje të rregullores së Kuvendit.

Tv Klan