Qeveria ka vendosur që të rishikojë sërish ligjin që i hap rrugë importit të mbetjeve, të miratuar në Shtator të këtij viti. Kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Eduard Shalsi u ka nisur një letër të gjitha grupeve të interesit, ku i kërkon që të paraqesin propozime konkrete brenda datës 25 Janar 2017.

Kërkesa u është drejtuar të gjitha grupimeve të interesuara, parti politike, ligjvenës, shoqata mjedisore, shoqata të biznesit, përfaqësues të medias, ekspertë, apo qytetarë të interesuar.

Pas depozitimit të propozimeve, Komisioni do të ftojë në një seancë të posaçme dëgjimore të gjithë grupimet e interesuara.

Vendimi për rishikimin e ligjit vjen në një kohë kur mazhoranca nuk ka marrë ende në shqyrtim dekretin e Presidentit të Republikës, që e rrëzoi ligjin e miratuar në Kuvend vetëm me 63 vota të mazhorancës.

Kuvendi duhet të shprehet për dekretin, ose duke e votuar, ose duke e rrëzuar atë, pa e diskutuar apo ndryshuar atë.

Iniciativa e re nënkupton se mazhoranca do ta lerë në fuqi dekretin e Presidentit, duke hequr dorë nga ligji i mëparshëm për t’i propozuar më pas parlamentit një ligj të ndryshuar, pasi ta ketë konsultuar me grupet e interesit.

Ligji i parë ngriti në protesta shoqërinë civile, ndërsa pas dekretit të Presidentit edhe LSI deklaroi se nuk do ta votonte atë sërish, edhe pse Komisioni i Vepritarisë Prodhuese mori një përgjigje nga Brukseli, se ligji ishte sipas direktivave të Bashkimit Europian.

Tv Klan