Një vajzë e vogël vetëm 15 muajshe është dërguar e pajetë në spitalin e Durrësit një natë më parë.

Në një njoftim të sajin, policia sqaron se e mitura me iniciale N.A është dërguar në urgjencë nga prindërit e saj rreth orës 02:30.

E mitura mësohet se ka mbërritur pa jetë në spital, ndërsa shkaku i vdekjes mbetet i paqartë.

Ndërkohë, tvklan.al ka mësuar se tre ditë më parë, prindërit e të miturës e kishin dërguar atë në urgjencë në gjendje të rëndë për shkak të një viroze. Pasi kishte marrë mjekim, ajo ishte përmirësuar, ndaj prindërit e kishin marrë atë sërish në shtëpi.

Por shëndeti i të voglës ishte përkeqësuar sërish mbrëmjen e shkuar dhe ajo ka ndërruar jetë në banesën e saj, në Fllakë të Durrësit.

Për rastin në fjalë është ngritur një grup hetimor, që pritet të përcaktojë shkakun e vdekjes dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes./tvklan.al