Gjykata e Tiranës ka lënë në burg mjekun e arrestuar për akuzën e pengimit në zbardhjen e së vërtetës, në vrasjen e Elton Çiços, dy ditë më parë në zonën e Bllokut, në Tiranë.

Togat e zeza janë bindur nga provat e sjella nga Prokuroria, e cila në kërkesën e saj sqaroi se Redjan Rraja ka marrë çantën viktimës, ku dyshohet se mund të ketë patur armë ose sende të ndaluara. Rraja ka qënë i ulur në të njëjtën tavolinë me viktimën natën e ngjarjes.

Kjo sipas prokurorit Elio Mazreku është verifikuar edhe nga kamerat e sigurisë të lokalit ku ndodhi ngjarja dhe duket qartësisht që 31 – vjeçari nga Kruja merr çantën e krahut të Elton Çiços.

Por kjo është mohuar nga i ndaluari, duke i sqaruar gjykatës se nuk ka marrë asgjë. Pavarësisht pretendimit, mjekut i është caktuar masa e sigurisë arrest me burg.

Ndërkohë, Policia dhe Prokuroria vazhdojnë hetimet për të zbardhur këtë ngjarje. Deri tani janë shoqëruar dhjetra persona, të cilët dyshohet se kishin informacione të vlefshme për hetimin.

Të gjithë këta persona janë liruar dhe dëshmitë e tyre nuk e kanë ndihmuar shumë hetimin, pasi ende nuk asnjë person të dyshuar për vrasjen.

Xhevahir Zhabina, Tv Klan