Kur kanë mbetur pak ditë nga shprehja me dekret e kreut të shtetit për ligjin që lejon importin e mbetjeve, përfaqësues të industrisë të riciklimit dhe anëtarë të shoqatës së ricikluesve i kërkuan Presidentit Bujar Nishani ta dekretojë ligjin.

Në një takim që patën me kreun e shtetit, ata parashtruan argumentet dhe pozicionin e tyre mbi efektet negative që mund të ketë mosdekretimi i ligjit nga ana e Presidentit.

Sipas ricikluesve, duke lënë mënjanë dezinformimet dhe tentativat për përdorim politik, qëllimi dhe interesi i industrisë të riciklimit në vend nuk është thjesht aspekti ekonomik dhe zhvillimor, por edhe ai i ruajtjes së mjedisit.

Presidenti Nishani vuri në dukje se ka shumë nevojë, që për çështje të tilla të ndjeshme që përfshijnë shumë dimensione si ato të biznesit, ekonomik, strukturor, e mjedisor zëri i aktorëve të ndryshëm të përfshirë të jetë më i fuqishëm.

Bujar Nishani, President i Republikës:

“Çështje kaq thelbësore e të ndjeshme nuk duhen politizuar në mënyrë që pastaj ato të mos dështojnë.”

 

1

Kreu i Shtetit i garantoi përfaqësuesit e industrisë së riciklimit se do ta trajtojë me shumë seriozitet ligjin dhe do të mbajë një qëndrim sa më të argumentuar në raport me të, duke vazhduar ndërkohë edhe konsulta të mëtejshme me individë ekspertë të fushës.

Ky takim konsultues me përfaqësues të industrisë së riciklimit vjen pas atij të së premtes, ku kreu i shtetit priti një përfaqësi të AKIP-it dhe ambientalistë, të cilët i kërkuan mosdekretimin e ligjit.

Tv Klan