karburantNë Shqipëri vazhdon të tregtohet karburant me cilësi të dobët.

Këtë e faktojnë shkeljet e konstatuara nga Inspektoriati Qendror Teknik, ku vetëm për muajin shkurt të këtij viti janë gjobitur 22 subjekte, pasi tregtonin karburant të përzierë me lëndë të tjera për qëllime përfitimi.

Pas analizave të mostrave të marra nga karburantet, ka rezultuar se nafta e tregtuar ka përqindje squfuri tej normave të lejuara, gjë që sipas drejtuesve të Inspektoriatit Qendror Teknik shkakton një sërë pasojash në automjete, mjedis dhe shëndet.

Ndryshe nga muaji janar, ku 10 raste të abuzimit me cilësinë ishin evidentuar brenda në kryeqytet, në muajin shkurt rezulton që fenomeni është zhvendosur përgjatë autostradës Tiranë – Durrës, aksi Lushnje – Rrogozhinë, Patok – Laç dhe në Elbasan.

Për 22 rastet që kanë abuzuar me cilësinë, Inspektoriati Qendror Teknik ka gjobitur me nga 1.5 milionë lekë, 13 subjekte ndërsa 9 të tjera i ka gjobitur me nga 2 milionë lekë.

Në muajin janar u gjobitën 21 karburante për mungesë cilësie. Ndërsa në total gjatë vitit që kaloi u gjobitën afro 220 pika.

Tv Klan