Mbi 330 viktima e me mijëra të plagosur nga tërmeti në Iran dhe Irak



Përditësuar/ Mbi 330 të vdekur e me mijëra të plagosur është bilanci tragjik i deritanishëm i lëkundjeve të forta të tokës, që tronditën zonën kufitare mes Iranit e Irakut. Lëkundje, që arritën një magnitudë 7.2 të shkallës Rihter, sipas matjeve të Institutit Amerikan të Gjeologjikës. Vetëm në Iran konfirmohen deri më tani mbi 4 mijë të plagosur në provincën perëndimore Kermanshah.

Epiqendra e tërmetit u regjistrua në 31 kilometra larg qytetit iraken të Halabjasë, në një thellësi prej 40 kilometrash. Qyteti ndodhet në provincën kurde të Irakut, Sulejmanije, atje ku janë shënuar edhe dëmet më të mëdha. Dëshmitarët thonë se lagje të tëra janë rrafshuar. Lëkundjet nxorrën në rrugë dhjetëra mijëra njerëz, që banojnë në qytetet pranë zonës kufitare mes Iranit dhe Irakut. Rreth 70 mijë njerëz rezultojnë deri më tani të pastrehë. Bilanci i viktimave pritet të thellohet gjatë orëve në vazhdin, teksa ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet për të mbijetuar nën rrënoja në të dyja anët e kufirit.

Lëkundjet ishin aq të forta sa u ndjenë edhe në shtetet më të largëta si Izraeli, Pakistani, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt e Liban. Irani përballet vazhdimisht me lëkundje të forta toke, që kanë shkaktuar me mijëra viktima. Përmes territorit iranian kalon vija ndarëse mes pllakave tektonike të Arabisë dhe Euroazisë, që sipas ekspertëve janë tepër aktive dhe përplasen vazhdimisht.

Tv Klan

 

Kategori
BotaTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*







Emisione