shperthimi ne VloreNë atentatin ndaj Isuf Brahimajt dyshohet të jetë vendosur sasia më e madhe e tritolit e përdorur ndonjëherë në ngjarje të ngjashme kriminale.

Prokurorët janë në pritje të akt – ekspertizës, që do ta përcaktojë saktësisht sasinë e lëndës plasëse.

Por burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se bëhet fjalë për mbi 500 gram C4, pasi dëmtimet e makinës kanë qenë tepër të mëdha, të pakonstatuara në ndonjë ngjarje me të njëjtën dinamikë, të ndodhur deri më tani në vend.

Lënda plasëse ishte vendosur poshtë sediljes së 42 –vjeçarit Brahimaj, i cili po e drejtonte automjetin në momentin e shpërthimit.

Është vërtetuar se ajo është aktivizuar me anë të një telefoni celular, ndaj hetuesit po përpiqen të identifikojnë thirrjet telefonike të kryera në këtë zonë në momentin e shpërthimit.

Autorët besohet se kanë qenë në ndjekje të makinës së Isuf Brahimajt dhe në nje distancë të afërt kur ajo u hodh në erë.

Prokurorët dyshojnë se lënda plasëse mund të jetë vendosur disa ditë më parë në makinë, ndoshta jashtë qytetit të Vlorës dhe se me kryerjen e atentatit në një prej zonave më të populluara, ata kanë dashur që ekzekutimi të jetë demonstrativ.

Mësohet se makina e Brahimajt, 24 orët e fundit nuk kishte dalë nga parkingu i hotelit që ai po ndërtonte në Radhime. Edhe 42-vjecari kishte qëndruar gjatë kësaj kohe në hotelin që priste të inaguronte.

Hetuesit dyshojnë se ngjarja është e lidhur me dy atentatet e tjera ndaj vëllezërve Brahimaj të ndodhur 1 vit më parë, të ngjashëm me këtë të 28 gushtit, por pa pasoja.

Atentatin ndaj vëllait të Isuf Brahimajt, të ndodhur po në muajin gusht dhe po në rrugën Transballkanike, e mori përsipër vrasësi me pagesë Julian Sinanaj. Dyshohet gjithashtu se edhe në këtë rast mund të jenë përdorur vrasës të tillë. Në janar të vitit të shkuar ishte 42 –vjeçari që i shpëtoi një antentati teksa lëvizte me motorr.

Dy vëllezërit kanë qëndruar për një kohë të gjatë në emigracion në Itali e Hollandë. Grupi hetimor ka si pistë kryesore për zbardhjen e ngjarjes, aktivitetin e tyre në këto vende.

Bëhet e ditur se Brahimaj ka vuajtur në Itali edhe një dënim prej disa vitesh burg. Pas kthimit nga emigracioni, ai kishte ndryshuar mbiemrin nga Brahimaj në Kokaj. Ndërsa vëllai i tij kishte ndryshuar emrin nga Bashkim, në Ermal. Prej më shumë se pesë vitesh ata merreshin me biznesin e ndërtimit në qytetin bregdetar.

Tv Klan