Për më shumë se 3 orë zgjati Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare e thirrur nga Presidenti Bujar Nishani për situatën e mbjelljes dhe trafikut të kanabisit në vend.

Siç njoftoi zyra për shtyp e kreut të shtetit, Presidenti Nishani foli me shqetësim për përhapjen e këtij fenomeni me tendencë në kriminalizimin e shoqërisë dhe ndikimimin negativ në ekonominë e vendit, duke cënuar imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Pas mbledhjes zv/kryeministri Niko Peleshi pranoi dobinë e tryezës dhe tha se u fol për një strategji të re në luftën kundër këtij drogës.

Për zv/kryeministrin Niko Peleshi, Qeveria ka treguar angazhim maksimal në luftën kundër kanabisit dhe për këtë ka marrë edhe vlerësimin nga partnerët ndërkombëtarë.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë Kombëtare u kërkua edhe marrja e masave të rrepta për goditjen e elementëve të inkriminuar që kanë arritur të penetrojnë në organet ligj-zbatuese, duke favorizuar trafikun e kanabisit.

Duke e konsideruar si një kërcënim ndaj çështjeve të sigurisë Këshilli  i Sigurisë Kombëtare nënvizoi domosdoshmërinë  për forcimin e bashkëpunimit edhe me agjencitë dhe institucionet partnere ndërkombëtare./ TV KLAN