Strukturat administrative të katër komunave veriore të Kosovës do t’i ofrojnë mbështetje Ekipit menaxhues për formimin e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Pajtimi për një gjë të tillë është arritur në mbledhjen e Ekipit menaxhues me kryetarët e katër komunave të veriut të Kosovës dhe dekanin e Fakultetit Juridik të Universitetit që funksionon në veri të Mitrovës.

Vinka Radosavljeviç, koordinatore e Ekipit menaxhues, përmes një komunikate për medie, ka bërë të ditur se ky ekip ka mbajtur sot mbledhjen e parë me ekspertët ligjor të fushës së vetëqeverisjes lokale.

“Ekipi menaxhues do ta bazojë punën e tij vetëm mbi bazën e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut në Bruksel, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duke respektuar Kartën evropiane për vetëqeverisjen lokale dhe principet dhe vlerat tjera demokratike evropiane të kësaj fushe”

, ka deklaruar Radosavljeviç.

Në komunikatë gjithashtu është thënë se në përputhje me kompetencat dhe mandatin e punës, Ekipi menaxhues do të konsultohet me përfaqësuesit e OSBE-së, lidhur me punën e mëtejme, si dhe me instancat kompetente të institucioneve në Prishtinë./REL