Një ditë pas vrasjes së ambasadorit rus në Turqi mbyllet Ambasada Amerikane në Ankara. Kjo për shkak se një person hapi zjarr para saj. Nuk raportohen persona të lënduar, por për arsye sigurie do të qëndrojnë të mbyllura edhe konsullatat amerikane në të gjithë vendin.

Për ngjarjen, Rusia ka nisur drejt Ankarasë një delegacion me 18 persona, mes tyre agjentë të sigurisë, prokurorë dhe ekspertë kriminalistikë për të hetuar rrethanat e plota të vrasjes së Ambasadorit Andrei Karlov dhe marrjen e trupit të tij.

Trupi i Ambasadorit do të niset me avion nga aeroporti i Ankarasë në orën 16:00 me orën lokale, ku do ketë dhe një ceremoni me pjesëmarrjen e Zv/kryeministrit turk. Pas ngjarjes së rëndë, presidenti turk Rexhep Taip Erdoan telefonoi homologun e tij rus Putin, për ta informuar rreth atentatit të ambasadorit. Shefi i Kremlinit tha në një deklaratë se vrasja e ambasadorit Karlov është një provokim që ka si qëllim minimin e procesit të paqes në Siri. Putin ka këmbëngulur që delegacioni rus të kryeje hetime të plota dhe të marrë trupin e diplomatit.

Hetimet e palës turke ndërkohë tregojnë se 22 – vjeçari Mevlut Mert Alltëntash kishte marre leje në punë për datën 19 dhe kishte rezervuar një hotel pranë vendgjarjes. Ai është bërë gati në dhomën e hotelit ku është veshur dhe ka hyrë në galerinë e arteve duke treguar distinktivin.

Alltëntash ka qëlluar 11 herë 9 nga plumbat kanë goditur Ambasadorin. Në galeri mbetën edhe 3 të plagosur mes të cilëve një grua lindur në Shqipëri me pasaportë turke. I dyshuar për lidhje me gulenistët, Alltëntash ishte pezulluar nga policia në 4 Tetor, por ishte rikthyer në detyrë më 16 Nëntor. Nëna, motra dhe një shok dhome me të janë ndaluar dhe po merren në pyetje.

Tv Klan