Maqedonia nuk do të lejojë më asnjë emigrant të kalojë kufirin e saj, duke bllokuar pjesën veriore të të ashtuquajturës “Rruga e Ballkanit”.

Vendimi i autoriteteve maqedonase ndjek atë të Sllovenisë dhe vjen pas planit mes Bashkimit Europian dhe Turqisë. Të njëjtat gjurmë parashikohet të ndjekë edhe Kroacia, që do të mbyllë kufijtë në kuadër të “fazës së re, për zgjidhjen e krizës së emigrantëve”, ndërsa Serbia do të mbyllë kufirin me Maqedoninë dhe Bullgarinë, për ata që nuk kanë dokumente të rregullta.

Janë rreth 13 mijë emigrantë të bllokuar në Idhomeni të Greqisë, që jetojnë në kampe në kufirin me Maqedoni.  Fillimisht autoritetet maqedonase pranuan sirianët, afganët dhe irakianët, ndërsa më pas lejuan vetëm sirianët që vijnë nga zona konflikti.

Analistët dhe ekspertët thonë se “Shqipëria dhe Bullgaria do të jenë dy vendet që do të tërheqin vemendjen e emigrantëve, për tu shndërruar në shtigjet alternative të rrugëtimit të tyre. Gjatë konferencës për shtyp me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun në Berlin kancelarja gjermane Angela Merkel tha se duhet të sigurohet kufiri me Maqedoninë dhe Shqiperinë, në anën greke, si dhe tu garantohet një vendstrehim më i mirë emigrantëve duke patur parasysh edhe axhenda BE-Turqi.

Tv Klan