Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka mbyllur seancën e sotme të Kuvendit pasi deputeti i PD Flamur Noka nuk pranoi të largohej nga salla pas përjashtimit.

Pas mbylljes së seancës, Parlamenti do të rifillojë ditën e nesërme në orën 08:30.

Jashtë Parlamentit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi Gramoz Ruçin se po shkel rregulloren me urdhër të Kryeministrit Edi Rama për të mos lejuar debatin.

“Nuk ka asnjë arsye Gramoz Ruçi të shkelë rregulloren përveç se ankthit të Edi Ramës për t’u përballur me të vërtetën. Ky është fundi t’i mbyllësh gojën opozitës, kemi dy javë që nuk zhvillohet debati”,

tha Lulzim Basha.

Kreu i demokratëve akuzoi Ramën se është i lidhur me bandat dhe për këtë arsye nuk lejon debatin. 

Ndërsa Kryeministri thotë se opozita duhet të mësojë të respektojë rregulloren e Kuvendit.

Edi Rama:

“Jemi vërtetë në një pozitë të vështirë. Nuk po ja dalim dot që të arrijmë në momentin kur opozita të bindet që parlamenti këtu siç ishte në 4 vjet ka vdekur në 25 qershor dhe ky parlament i dalë nga zgjedhjet funksionon në bazë të rregullave të shkruara bashkarisht dhe mbi bazën e ketyre rregullave ka nisur të funksiononjë do apo nuk do PD dhe bashkë me motrën tonë të përbashkët do apo nuk do. Keqardhja më e thëllë kur sheh se e përdorin lirinë për tu ankuar për mungesën e saj”.

Sipas shefit të qeverisë, opozita është në të njëjtën situatë kur ishte në çadrën e protestës në bulevard, me ndryshimin e vetëm se kësaj radhe është në Parlament.

Edi Rama:

“Është rihapur çadra dhe ka filluar një proces vetpengues i opozitës që kërkon debat dhe s’bën debat, kërkon hapësirë dhe bllokon foltoren. Është një opozitë pa kokë, pa vizion, pa program, pa skuadër, pa përgjegjësi. Nuk shoh se si ne duhet tja dalim të gjithë së bashku që ta fusim këtë opozitë në rrugën e arsyes për të mos shkelur rregullat e bashkëjetesës. Ajo që po bën opozita është për të ardhur keq, mungesë përgjegjësie totale dhe mungesë totale vullneti për të përballuar këtë mandat në opozitë”. 

/tvklan.al