Një tjetër pushues ka gjetur vdekjen këtë të premte në ujërat e detit Jon. Bëhet fjalë për një adoleshente, rreth 16 – vjeç nga Rusia, e cila është mbytur në Ksamil të Sarandës.

Në një njoftim, policia tha se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 13:00, në 3 ishujt e Ksamilit. 

“Policia është afruar menjëherë në vendngjarje dhe ka konstatuar se tek vendi i quajtur ”3 Ishujt” Ksamil, Sarandë, është gjetur e mbytur një vajzë e cila pas hetimeve paraprake dyshohet të jetë shtetase Ruse, rreth moshës 16-17 vjeçare. Po punohet për gjeneralitetet e plota”

, thuhet në një njoftim paraprak të Policisë së Vlorës.

Ky sezon veror ka parë një rezultat tragjik, sa i përket pushuesve që kanë gjetur vdekjen nga mbytja në ujërat e bregdetit shqiptar.

Vetëm një ditë më parë, një 35 – vjeçar gjeti vdekjen pasi u mbyt në plazhin e Velipojës, ndësa ngjarja më e rëndë është ajo e së shtunës në Vlorë, ku 4 të rinj u mbytën, mes tyre edhe një djalë 24 – vjeçar nga Tetova e Maqedonisë.

Që prej fillimit të sezonit veror, më shumë se 15 persona kanë humbur jetën në det. Në disa raste kanë qenë pushuesit që kanë ndihmuar të gjendurit në vështirësi, për shkak se kullat e vrojtimit mungojnë në çdo plazh të Shqipërisë. /tvklan.al