Pas mbytjes së dy të rinjve 17-vjeçarë në një rezervuar uji në fashtin Qatrom të Korçës, policia lokale ka nisur procedimin penal për 3 persona.

Ngjarja ndodhi një javë më pare, në vendin e quajtur “Gropa e Danielit”. Adoleshentët shkuan të lahen në rezervuar, por nuk kanë mundur të dalin më. Për nxjerrjen e trupave të pajetë u angazhuan polumbarë të forcave të policisë. Nga hetimet e kryera, policia thotë se ka nisur procedimin penal për 53-vjecarin Vasil Kapurani, administrator i një shoqërie private në fushën e qeramikës. Shoqëria e tij ka rezultuar me mangësi në dokumentacionin e paraqitur, në mënyrën e shfrytëzimit të tokës, në  gropën ku humbën jetën dy kushërinjtë.

Në gjendje të lirë do të procedohen penalisht për shpërdorim detyre, ish-Kryetari i Komunës Drenovë, Flamur Salaj, dhe një 31-vjeçar banues në fshatin Qatrom, me detyrë administrator i Njësisë Administrative Drenovë. Ata dyshohen se nuk kanë marrë masat e nevojshme, për kontrollin e aktivitetit të ushtruar në territorin e kësaj njësie. Policia thotë se të gjitha materialet ia ka dërguar Prokurorisë për përfundim të hetimeve.

Tv Klan