Në prag të mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës, mbetet ende mjaft e paqartë se a do të mund të krijohet shumica parlamentare dhe a do të mund të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, të cilin pritet ta propozojë koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN.

 Mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet të enjten, më 3 gusht.

 Pjesëmarrjen në këtë mbledhje tashmë e kanë konfirmuar subjektet parlamentare.

 Memli Krasniqi, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se koalicioni PAN është i përkushtuar që gjithçka të rrjedhë mirë në seancën konstituive të Kuvendit.

 “Ne e kemi mbështetjen e mjaftueshme për ta votuar edhe Qeverinë, për ta konstituuar edhe e Kuvendin dhe besojmë që gjithçka do të shkojë dhe do të rrjedhë ne mënyrën më të mirë të mundshme. Ky edhe është përkushtimi ynë si koalicion”.

 I nominuari për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se të gjithë deputetët e këtij subjekti politik, do të jenë të pranishëm në mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Ai ka kritikuar koalicionin PAN për, siç ka thënë ai, mënyrën se si po përpiqet ta krijoj shumicën parlamentare.

 “PAN-i po orvatet që ta krijojë shumicën parlamentare nëpërmjet një Qeverie, e cila do të varet nga partia e Beogradit në Kosovë dhe nga blerja e ndonjë deputeti. I bën shtet-ndërtimit dhe demokracisë në Kosovë, por nuk ju bën nderë edhe atyre”

, ka thënë Kurti.

 Koalicioni PAN, që më parë kanë paralajmëruar se për kryetar të Kuvendit do ta propozojë liderin e PDK-së, Kadri Veselin, i cili ka mbajtur këtë post edhe në legjislaturën e kaluar.

 Këtë e ka konfirmuar edhe Krasniqi, ndonëse sipas tij, kjo ende nuk është zyrtare.

 

“Ka një mbështetje të plotë për kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe për liderin e koalicionit tonë, për zotin Kadri Veseli. Por, unë sot nuk mund t’ua them këtë si fakt të kryer. Vendimin zyrtar do ta publikojmë me kohë”.

 Kryetari i Kuvendit zgjidhet me shumicën e thjeshtë, që nënkupton me 61 vota të deputetëve.

 Kurti ka thënë se 32 deputetët e Lëvizja Vetëvendosje, nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit.

 “Të enjten, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet ta zgjedhë për kryetar një person, një figurë politike, i cili duhet të jetë sa më gjithëpërfshirëse e kurrsesi kontroverse. Ky deputet që do të bëhet kryetar i Kuvendit, në legjislaturën e 6 duhet të jetë shumë më i mirë se sa kryetari i Kuvendit në legjislaturën e pestë”.

 Në anën tjetër, njohësi i zhvillimeve politike, Imer Mushkolaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se problemet për krijimin e shumicës parlamentare, por edhe për votimin e kryetarit të ri të Kuvendit, janë më se evidente, pavarësisht deklaratave të deritashme të koalicionit PAN, se ekzistojnë votat e nevojshme për këto.

 “Unë pres – të paktën duke u bazuar edhe në disponimin e përgjithshëm të partive politike, por edhe në përgjithësi deklaratat që janë bërë publike – që zgjedhja e kryeparlamentarit të dështojë. Kjo do të çonte pastaj në një situatë të re, në kuptimin që po ashtu koalicioni PAN mund të provojë edhe herëve të tjera të njëjtin kandidat ose kandidat tjetër. Por, prapëseprapë ekziston rreziku që kryetari i Kuvendit të mos zgjidhet dhe rrjedhimisht edhe Kuvendit të mos konstituohet”.

 Mushkolaj shton se një situatë e tillë do ta çonte vendin në zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare, gjë që sipas tij, nuk do të ishte zgjidhje e duhur.

 “Nëse ndodhë kështu, bëhet vetëm për inate personale, për shkak se unë konsideroj se ekzistojnë mundësi të tjera. Do të mund të ishte, ta zëmë, caktimi i një kandidati tjetër nga koalicioni PAN, një kandidati të pranueshëm për rivalët politikë që nuk janë në koalicionin PAN, që të paktën të konstituohet Kuvendi dhe pastaj të kalohet në çështjen e krijimit të Qeverisë”

.

 Sidoqoftë, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, fillon edhe faza prej 15 ditëve për formimin e Qeverisë së re. Duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve, edhe formimi i Qeverisë i takon koalicionit PAN, por kërkohet që ky koalicion të sigurojë minimumin prej 61 votave./REL