Ashtu siç e paralajmëruan edhe agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit ekonomik, pjesën e parë të vitit Shqipëria po e mbyll me rënie të investimeve të huaja.

Tensionet dhe situata politike kanë bërë që 2017-ta të ketë më pak para që hyjnë nga jashtë.

Sipas statistikave zyrtare të Bankës së Shqipërisë për periudhën Prill-Qershor, investimet e huaja direkte arritën në vlerën 200 milion euro, ndërsa në total të gjashtë muajt e vitit arritën në 380 milion euro, nga 534 milion që ishte në 6-mujorin e dytë të 2016-ës.

Sektorët ku janë të përqendruar sërish paratë e të huajve në vendin tonë, mbeten energjetika, nafta dhe kompanitë financiare, ndërsa peshën më të vogël e zë bujqësia dhe turizmi.

Vitin që shkoi investimet e huaja direkte kaluan për herë të parë shifrën 900 milionë euro. Shqipëria arriti të dilte e para në rajon për sasinë e investimeve nga jashtë në raport me produktin e brendshëm bruto dhe të dytin për nga madhësia pas Serbisë. Për këtë vit në Shqipëri nuk ka nisur ende të ndërtohet asnjë vepër të re./Tv Klan