mediatVizita e Papa Françeskut në Tiranë ka qenë kryelajmi i kësaj të diele në mediat ndërkombëtare.

Motori i kërkimit në internet Google, faqja me e klikuar në botë, e ka renditur si lajmin kryesor.

Rrjeti televiziv prestigjoz amerikan CNN, ka përcjellë drejtpërdrejtë për publikun botëror momente të kësaj vizite, veçanërisht parakalimin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara dhjetëra mijëra të pranishmëve entuziastë.

Në portalin në internet, ky lajm zuri një vend jo pak të rëndësishëm, me titullin “Papa Françesku viziton Shqipërinë, vendin me shumicë mylsmimane”.

Euronews i kushton vëmendje faktit, që vizita e kreut të Vatikanit në Shqipëri, është i pari rrugëtim i tij në një vend europian, qëkurse u zgjodh në krye të Selisë së Shenjtë.

Britanikia BBC përqëndrohet tek mesazhi i Papës kundër ekstremizmit fetar me titull “Papa Françesku dënon ekstremizmin pervers gjatë vizitës në Shqipëri”.

AFP e vë theksin ke toleranca dhe harmonia mes besimeve fetare që ekziston në Shqipëri dhe që Papa përmes vizitës së tij, dëshiron ta promovojë në mbarë botën si një shembull për t’u ndjekur.

Kryelajm ishte kjo vizitë thuajse në të gjitha mediat italiane. RAINEWS 24, kanali informativ i radiotelevizionit publik italian RAI e ka transmetuar të plotë të gjithë ceremoninë, deri në përfundim të meshës.

Agjensia e lajmeve ANSA, kryetitull kishte pikërisht mesazhin e Papës kundër ekstremizmit fetar.

“Askush të mos mendojë se mund të përdorë Zotin si mburojë, kur  projekton akte dhune dhe abuzimi” ishte shprehja e Papa Françeskut, që i referohet dhunës dhe masakrave të Shtetit Islamik në Irak e Siri, kundër pjesëtarëve të komuniteteve dhe besimeve të tjera fetare.

Portali online i kanalit informativ italian TGCOM, citon fjalët e Atit të Shenjtë drejtuar autoriteteve të Tiranës, ku e vë theksin tek harmonia mes besimeve fetare, që e konsideron si një shenjë të mirë.

Këtë harmoni, Papa e konsideron si një vlerë të paçmueshme.

Në të njejtin aspekt janë përqëndruar edhe të tjera të përditshme italiane, si Corriere della Sera e La Republica.

Radio Vaticani ka pasqyruar gjithashtu gjërësisht të gjitha aktivitetet e Atit të Shenjtë gjatë vizitës në Shqipëri, në të gjitha seksionet gjuhësore.

Jehonë, vizita ka bërë edhe në mediat gjermane.

Një prej të përditshmeve më të mëdha, Frankfurter Allgemeine Zeitung pasqyron lajmin nën titullin “Papa kritikon Islamistët – duke iu referuar esktremistëve islamikë – dhjetëra mijëra shqiptarë përshëndësin Françeskun”.

Jashtë vëmendjes, këtë vizitë nuk e kanë lënë as mediat e rajonit. Një prej portaleve më të mëdha informative greke në internet Zugla risjell në vëmendje se kjo është e dyta vizitë e një Pape në vendin tonë që prej vitit 1993.

Ndërsa përqëndrohet edhe tek masat e larta të sigurisë të ndërmarra nga autoritetet shqiptare për këtë vizitë. Inseres kanë treguar gjithashtu edhe mediat serbe.

Tv Klan