Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç ka ftuar në takim trepalësh kreun e ri të qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Lajmi është bërë i ditur nga mediat serbe që shkruajnë se takimi mund të mbahet në Nish.

Në Shqipëri dhe Kosovë sapo janë formuar qeveritë e reja, por nga mediat serbe vjen një lajm shumë i rëndësishëm për sa i përket zhvillimit ekonomik të rajonit. Gazeta Kurir, duke cituar burime të sigurta, shkruan se kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç së shpejti mund të takohet me kryeministrin e sapozgjedhur të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Sipas njoftimeve të mediave, në takim, i cili me shumë mundësi do të mbahet në Nish, do të marrë pjesë dhe kryeministri Edi Rama. Por një problem për këtë mund të jetë urdhër-arresti ndaj Haradinaj, i cili është ende aktiv që prej kohës së Sllobodan Millosheviçit. 

Në takimin trepalësh do të diskutohet për projektet e përbashkëta ndërmjet Beogradit, Prishtinës dhe Tiranës, të cilat janë iniciuar nga procesi i Berlinit. Kryeministrat do të fokusohen në ndërtimin e autostradave dhe projekteve të tjera infrastrukturore për të cilat të tre krerët e qeverive janë të interesuar.

Burimet diplomatike të gazetës Kurir thonë se takimi trepalësh tashmë po organizohet. Kjo media nënvizon se situata politike në aksin Beograd-Prishtinë, është shumë më e komplikuar. Pas hyrjes së listës serbe në koalicionin qeverisës, kryetari i kësaj force politike, Goran Rakiç njofton se “shumë shpejt do të formohet Asociacioni i Komunave Serbe”. Sipas tij, ky ishte një ndër kushtet kryesore të serbëve që të jenë pjesë e qeverisë Haradinaj.

Ndërkohë, zëvendës Kryeministri serb dhe Ministri i Tregtisë, Rasim Lajiç beson se debati për pjesëmarrjen e serbëve në qeverinë e Kosovës është “krejtësisht i pakuptimtë dhe madje shumë kundërproduktiv”./ABC News