1

Në fokusin e mediave kryesore serbe, është ndeshja e të enjtes me përfaqësuesen tonë, për vetë rëndësinë që mbart ky takim. Shoqërimi mediatik i përfaqësueses së Serbisë, ka nisur që nga aeroporti i Beogradit, deri në mbërritjen e delegacionit në Hotel Sheraton.

Lajmin e parë në faqet e të përditshmeve e zë një incident i ndodhur gjatë shoqërimit për në Hotel, ku autobusi i përfaqësueses serbe është goditur me gur.

E përditshmja Tanjug shkruan se Autobusi i Kombëtares serbe të futbollit është goditur me gur. Gazeta shkruan se xhami i autobusit është thyer dhe se futbollistët janë të shokuar.

Edhe e përditshmja tjetër Blic, e ka transmetuar inicdentin e autobusit, duke e shoqëruar me titullin : “Provokim në Tiranë”.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i palës serbe ndaj këtij incidenti. Presidenti i Federatës Serbe të Futbollit Tomislav Karaxhiç, është shprehur për Kurir se po mban kontakt me krerë të lartë të policisë shqiptare. Karaxhiç tha se nëse do të ketë incidente të tjera, do të kërkojë tërheqjen e përfaqësueses serbe.

Jehonë ka bërë edhe lajmi i arrestimit të Ismail Morinës. Tanjug shkruan se shqiptari që hodhi dronin në stadiumin “Partizani” është arrestuar, pasi i është gjetur një armë pa leje. Ndërsa “Kurir” ka paraqitur një foto të disa tifozëve shqiptarë të maskuar, e shoqëruar me titullin: “ Lironi Morinën, përndryshe do të ketë gjakderdhje ”

Sa i përket pranisë së Kryministrit Vucic, ende nuk ka një lajm zyrtar nëse do të jetë i pranishëm apo jo në “Elbasan Arena”. Nga ana tjetër e sigurt është prezenca e Ministrit serb të Arsimit, i cili do të shoqërojë grupin me 50 studentë.

Tv Klan