Fatmir Mediu, aleati historik i demokratëve ka ripërsëritur qëndrimin se ministrat teknik duhet të largohen urgjentisht nga qeveria. Në një intervistë për të përditshmen “Mapo”, kryerepublikani thotë se opozita dështoi të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme, pasi pjesëmarrja e gardianëve të saj në qeveri u kthye në një akt formal.

 “Kam renditur rreth 10 arsye, po janë dhe më tepër politike, juridike dhe morale që ministrat teknikë duhet të largohen urgjentisht nga qeveria që nuk ekziston. Marrëveshja Rama-Basha nuk u zbatua nga socialistët dhe pjesëmarrja e ministrave teknikë u kthye thjesht në një akt formal, pa mundur të garantojë një optimum zgjedhor edhe pse ministrat u angazhuan seriozisht. Opozita dështoi që të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Mediu.

Një pjesë të disfatës në zgjedhjet e 25 qershorit, Mediu ia faturon edhe listës “Basha”, si dhe largimit të disa prej figurave historike të Partisë Demokratike.

 “Problemi me listat e kandidatëve ishte evident, jo vetëm me largimin e disa figurave të PD-së që kishin raport publik dhe elektoral, por edhe për faktin se pjesa më e madhe e kandidatëve të rinj nuk njiheshin nga publiku dhe nuk kishin lidhje me strukturat e PD-së, si dhe nuk patën mundësi në një kohë të shkurtër të njihen nga votuesit edhe të zonave të tyre”, shprehet kryerepublikani.

Pavarësisht se Lulzim Bashës i kërkon të mos e bëjë qesharake dhe kompromentuese opozitën duke mbajtur ministrat teknik në qeveri, kur bëhet fjalë për interesa kombëtare i sugjeron që të bashkëpunojë sërish me kryeministrin Rama.

“Nëse reforma të rëndësishme kërkojnë bashkëpunim me mazhorancën; si ajo kushtetuese dhe zgjedhore, bashkëpunimi me çdo deputet apo forcë politike opozitare në raste të caktuara do të jetë më se i natyrshëm. Nuk mendoj se ka nevojë për front opozitar, por për forcë opozitare dhe qytetare”, thekson Mediu.

Sa për daljen në opozitë edhe e LSI-së, Mediu thotë se kjo dikton nevojën urgjente të një riorganizimi të së djathtës, që sipas tij duhet të nisë nga programi politik, duke mos përjashtuar edhe idenë e një federate. TV KLAN