Trajneri i Partizanit beson te suksesi kundër Kastriotit, por kërkon nga lojtarët të qëndrojnë me këmbë në tokë

Trajneri i Partizanit Dritan Mehmeti kërkon fitoren e radhës në takimin e javës së 17-të kundër Kastriotit. Tekniku tha se gjendja e skuadrës është e mirë pas suksesit ndaj Egnatias me rezultatin 0-3, por kërkoi nga futbollistët që të jenë me këmbë në tokë. Sipas Mehmetit, kundërshtarët kanë ndryshuar dhe kjo u pa edhe në suksesin kundër Teutës në javën e shkuar.

“Rezultati pozitiv i jep bonus emocional dhe entuziazëm brenda grupit, megjithatë duhet të jemi me këmbë në tokë sepse s’kemi bërë, asgjë vetëm detyrën. Nesër duhet të jemi shumë seriozë dhe shumë konkretë sepse çdo ndeshje ka vështirësinë e saj. Ne kemi marrë masat e duhura, Kastrioti ka ndyrshuar jo vetëm stafin teknik por edhe disa elementë, si dhe flozofinë e lojës, megjithatë ne jemi Partizani dhe do bëjmë maksimumin që të marrim fitoren”.

Pas 16 ndeshjesh të luajtura, Partizani ndodhet në vend të 5 me 21 pikë të grumbulluara. Ndërsa Kastrioti pozicionohet i fundit, me 10 pikë më pak se sa “të kuqtë”. Përballja mes të dyja skuadrave luhet në “Elbasan Arena” në orën 13:45.

Klan News