MeidaniIsh –presidenti i Republikës, Rexhep Meidani e quan antikushtetues urdhërin administrativ të Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli për shkarkimin e përfaqësuesit të Shqipërisë në NATO, kundëradmiral Kristaq Gervenit.

Duke reaguar për këtë çështje, në faqen e tij në rrjetin social Facebook, ish –kreu i shtetit shkruan se një kundëradmiral nuk mund të pezullohet pa dalë paraprakisht dekreti i Presidentit të Republikës.

Ministrja tha se kundëradmiral Gerveni është njoftuar për mbarimin e mandatit, apo dekretit siç u shpreh ajo gabimisht.

Por burime nga presidenca bënë me dije se dekreti i Presidentit mund të ndërpritet vetëm me një tjetër dekret të nxjerrë nga vete ai dhe jo me urdhër administrativ të ministres.

Të njëjtat burime saktësuan se deklarata e djeshme e ministres ishte tërësisht e ndryshme nga çfarë ajo ka kërkuar zyrtarisht, pasi në shkresën drejtuar Presidentit Nishani, ajo nuk i bën me dije se përfaqesuesit tonë në NATO i mbaron mandati, por ka propozuar shkarkimimin nga detyra dhe nxjerrjen në lirim për shkak të shkeljes se disiplinës, pasi në një takim zyrtar ka mbajtur në uniformë një gradë më të madhe nga ajo që i takon.