Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se Ervopa nuk duhet ta dëbojë Turqinë, pavarësisht shqetësimeve se rritja e pushtetit të presidentit, Recep Tayyip Erdogan, po rrezikon aspiratat e vendit të tij për tu anëtarësuar në BE.

Zyrtarët e lartë të BE-së që merren me çështjen e Ankarasë i kanë thënë agjencisë Reuters e Turqia e ka diskualifikuar veten nga bashkimi në bllok, pas goditjes së Erdoganit ndaj disidentëve, komenteve të tij për “nazizëm” kundrejt Gjermanisë dhe referendumit për ndryshime kushtetuese, që ia zgjeroi atij pushtetin.

Sidoqoftë, në një intervistë dhënë për Berliner Zeitung, Merkel ka thënë se Turqia “është partner i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit islamik” dhe se është në interesin e BE-së dhe NATO-s, të ketë marrëdhënie të mira me Ankaranë.

“Nuk duhet ta dëboni një partner të tillë, edhe pas zhvillimeve negative që ne mund të adresojmë”, ka thënë ajo.

E pyetur për bisedimet për anëtarësim në BE, Merkel përsëriti se Turqia do të kalonte vijnë e kuqe me BE-në, nëse do të rikthente dënimin me vdekje.

“Ne në Evropë, duhet të diskutojmë së bashku për çfarë lloj të raportit duan në të ardhmen me Turqinë”, tha ajo.

Shumë persona në partinë e Kristianë Demokratëve (CDU), të Merkelit, janë skeptikë për anëtarësimin e Turqisë në bllok por Merkel që një kohë të gjatë ka argumentuar se është e rëndësishme të bisedohet me Ankaranë, duke thënë se vendimi për anëtarësim nuk është ende afër./REL